Në takimin e djeshëm ndaj Partizanit ai është ndëshkuar sërish me karton të verdhë. Për të është i nënti në këtë kampionat. Florind Bardulla kësisoj ndoshta është rekordmeni i Superligës shqiptare sa i takon numrit të madh të kartonave të madh. Shtatëshkurtër por shumë agresiv në lojë, ai është gjithnjë problem për kundërshtarin, një shqetësim i vazhdueshëm për ta por natyrisht që edhe ndërhyrjet e parregullta nuk mungojnë.


Arbitrat kësisoj nuk kanë ngurruar në asnjë moment t’i nxjerrin të verdhën. Kështu ndodhi edhe në takimin ndaj të kuqve, por kuptohet që kjo gjë do të ketë pasojat e veta. Arsyeja është e qartë: Mesfushori ka plotësuar numrin tre të kartonave të verdhë dhe për këtë arsye, do të mungojë në ndeshjen e rradhës ndaj Flamurtarit ditën e shtunë. Problemi për stafin teknik të Vllaznisë nuk është mungesa e tij por mospasja e asnjë lojtari tjetër për ta zëvendësuar në atë pozicion. I vetmi futbollist pjesë e skuadrës që luan në qendër të mesfushës është Kapaklija por siç dihet, ai është i dëmtuar dhe nuk do jetë i gatshëm për disa kohë. Trajneri Cungu ka provuar herëpashere të aktivizojë edhe Vrapin aty por ky i fundit është i detyruar të luajë në qendër të mbrojtjes pas dëmtimit edhe të Cicmil. Në këtë mënyrë, tashmë mbetet për t’u parë sesi do të zgjidhet mungesa e Bardullës. Ndoshta mund të kemi një ndërrim të skemës së lojës të skuadrës dhe ajo të mos luajë më me 4-3-2-1 por me 4-4-2, për më tepër që ndaj Flamurtarit duhet me çdo kusht fitorja. Por nëse këtë herë mungon Bardulla për kartona, janë edhe 5 futbollistë të tjerë me nga dy kartona dhe që rrezikojnë prandaj ata duhet të bëjnë shumë kujdes sepse mund t’i krijojnë shumë probleme ekipit me mungesën e tyre.

 

© shkodrasport.com