Bllokimi i merkatos dhe vonesa në dhënien e vendimit nga KAS-i e kanë shtuar dozën e alarmit te tifozët e Partizanit. Përgjigjja ishte menduar të vinte në mes të gushtit dhe zgjatja është kuptuar nga tifozët dhe dashamirësit e kuq si një fshehje e së vërtetës nga ana e klubit.

Për të marrë një informacion se çfarë po ndodh me ankimin e bërë nga Partizani në KAS për çështjen “Çinari” dhe çfarë rruge është ndjekur deri tani, “Panorama Sport” kërkoi një informacion nga klubi. Interesimit të gazetës iu përgjigj sekretari i përgjithshëm, njëkohësisht edhe juristi i klubit, Gerald Burba.

PROCEDURA E NDJEKUR – “Për sqarimin e opinionit publik dhe veçanërisht tifozëve tanë që me të drejtë janë të shqetësuar për situatën e krijuar nga vendimi i FIFA-s për çështjen ‘Çinari’ po ju tregoj se çfarë po ndodh.

Vendimi i FIFA-s i është komunikuar klubit dhe lojtarit më datë 13 korrik 2020 dhe kemi pasur 21 ditë kohë për ta apeluar atë vendim në arbitrazhin sportiv të Lozanës.

Duke pasur parasysh rëndësinë gati jetike të transferimit të lojtarëve në funksion të ndërtimit të ekipit për sezonin e ri, kemi dorëzuar në KAS ankimin, si dhe kërkesën për pezullimin e efekteve të vendimit te FIFA-s me datë 25 korrik 2020, duke respektuar të gjithë procedurën e kërkuar nga kjo gjykatë.

Më datë 5 gusht KAS njoftoi për marrjen e dokumentacionit tonë, si dhe regjistrimin e dosjes duke njoftuar palët për fillimin e procesit dhe paraqitjen e prapësimeve brenda një afati prej 21 ditësh, si dhe duke i dhënë kohë 10 ditë për kundërshtimet e tyre për pjesën e pezullimit të efekteve të vendimit.

Rreth 10 ditë më vonë palët kanë njoftuar KAS-in se prapësimet do të paraqiteshin nga ata, pasi Partizani të kishte paguar kostot procedurale të gjyqit, duke u bazuar në kodin e arbitrazhit sportiv të KAS-it. Fill pas kësaj kërkese, Partizani ka kërkuar nga KAS përllogaritjen e kostove procedurale, me zotimin për të kryer pagesën menjëherë nga ana jonë për të mos dëmtuar edhe më tej klubin nga bllokimi i merkatos.

2 ditë më vonë KAS ka njoftuar se edhe lojtari Erald Çinari ka bërë ankimim pranë kësaj gjykate për vendimin e FIFA-s dhe duke u bazuar në kërkesën e avokatit të Çinarit për të ulur shpenzimet e gjyqit, por edhe sepse është në diskrecionin e kësaj gjykate që të bashkojë dosjet, u la palëve një afat për t’u shprehur për këtë pjesë deri më datë 21 gusht 2020″, u shpreh Burba fillimisht.