Antonio Kasano ka hapur një betejë të ndezur me Zhoze Murinjon, duke shkëmbyer deklarata në distancë me trajnerin portugez të cilin e akuzon se nuk arrin të prodhojë lojë me skuadrat e tij. Por tashmë të njëjtin trajtim po merr edhe Masimiliano Alegri.

Ish-futbollisti e sulmon prej kohësh trajnerin e Juventusit për faktin se jo vetëm nuk po merr rezultate, por as nuk po dhuron lojë me skuadrën dhe sipas tij, bardhezinjtë duhet ta largojnë sa më parë, siç ka shpjeguar në postimin e fundit në Instagram.

“Tani epitetet kanë mbaruar, është një turp i madh. Mua më vjen keq për shumë miq juventinë që kam, dje kaloi çdo limit, mori një shuplakë të bujshme nga Sasuolo, mund të mundej 5-0.

Pa ide, pa ritëm, pa personalitet, pa asgjë. Nuk e kuptoj se si një skuadër e tillë mund t’i japë 10 milionë euro Alegrit për të bërë ndeshje të këtij lloji, është diçka e turpshme dhe më vjen keq për tifozët. Shpresoj që të mund ta ndërrojnë”, tha ai duke u pozicionuar hapur për largimin e teknikut nga bardhezinjtë.