Pas sulmit të pësuar në zemër disa ditë më parë, portieri Iker Kasijas ka lënë sot spitalin për të nisur tashmë fazën rehabilituese. Për sportin nuk duhet të mendojë për të paktën 3 deri në 6 muajt e ardhshëm.

Do të jetë një pushim total, ndërsa legjenda 37-vjeçare është shprehur i lumtur për kujdesin dhe vëmendjen e treguar ndaj tij në këto ditë, ndërsa shtoi se ndihej me shumë fat.

“Është e vështirë të flas, por i jam shumë falënderues të gjithëve, kisha fat. Më kanë bërë të ndihem shumë i dashur nga përkushtimi ndaj meje. Jam i emocionuar, falënderoj mjekët e spitali dhe njerëzit e Portos.

Falenderoj të gjithë njerëzit që u shqetësuan për mua. Nuk e di të ardhmen time”, u shpreh Kasijas. Duke nisur nga dita e sotme, ish-futbollisti i Real Madrid do të kthehet në shtëpinë e tij, ku dy javët e para do t’i shijojë në relaks, pranë detit.

Ndërkohë më vonë do të fillojnë edhe trajtimet kardiake, ndërsa do të kthehet në Spanjë në fillim të qershorit. Ndërkohë, rikuperimi total mund të kërkojë deri në 10 muaj, megjithatë e rëndësishme është që Kasijas tashmë e ka kaluar rrezikun./VipSport/