Elhan Kastrati duket se po shfrytëzon në maksimum mundësinë që i është shfaqur në radhët e Peskarës, pas dëmtimit të portierit titullar Fiorilo.
Ish-portieri i Shpresave kuqezi ka arritur që pak nga pak të bëhet vendimtar për skuadrën e tij dhe sot e ka ndihmuar që të dilte të paktën me një pikë nga ndeshja e komplikuar me Kremonezen.
Peskara, ku edhe Memushaj ishte titullar e luajti gjithë ndeshjen, provoi në të gjitha mënyrat që të gjente rrjetën, por nuk ia doli deri 10 minuta para fundit, kur Galano me një goditje dënimi mposhti portierin Agazi.
Por Kremoneze barazoi shifrat në 1-1, kur një goditje dënimi e Miljore u devijua para Kastratit duke gënjyer portierin, me topin që përfundoi në rrjetë.
Kastrati arriti të tregohej vendimtar në sekondat e fundit të shtesës, kur grushtoi një gjuajtje me kokë të Arini, duke shpëtuar portën e tij nga një gol i sigurt që do t’i kishte kushtuar ndeshjen skuadrës, duke marrë duartrokitjet e publikut.
Barazimi mban Peskarën në vendin e tretë në renditjen e Serisë B, që duket se ka shumë rivalitet këtë vit sa i përket grupit të skuadrave që synojnë ngjitjen në A. /vipsport/