Ka shënuar 5 gola në këtë kampionat dhe ai vetë është jo shumë I kënaqur me këtë ecuri megjithatë Kastriot Rexha premton se nëse do qëndronte edhe sezonin e ardhshëm me Vllazninë, do të bënte më mirë. Ka shënuar tre gola në fazën e parë, dy ndaj Flamurtarit dhe një ndaj Kastriotit. Në fazën e dytë ndërkohë ka shënuar dy gola, nga një kundër Kukësit dhe Apolonisë. E ka thënë këtë gjë pikërisht para largimit nga Shkodra por nga ana tjetër ka deklaruar se askush se ka thirrur për të biseduar për këtë gjë. Rexha njëkohësisht bën të ditur se pret të likujdohet plotësisht për kontratën aktuale dhe njëkohësisht është një pritje të një sinjali për rinovim. Nëse ai do vinte, sigurisht që do thoshte menjëherë “po”. Ja intervista e plotë e Kastriot Rexhës dhënë dje për gazetën:

-Kastriot, keni mbyllur një sezon tek Vllaznia. Tashmë që ka mbaruar çdo gjë, cila është përshtypja juaj për ecurinë e saj?
-Them se duhej të kishte qenë disi më e mirë. Vllaznia e nisi jo mirë sezonin dhe gjatë rrugës u hasën shumë probleme, çka bëri që të ndryshohet edhe trajner në mesin e tij. Me ardhjen e Bushatit, patëm një nisje të shkëlqyer në fazën e dytë por nuk e mbajtëm deri në fund atë. U renditëm të gjashtët por sigurisht që duhej të kishim qenë më lart.
-Po në aspektin personal, jeni I kënaqur me paraqitjen e bërë?
-Ka qenë sezoni I parë me Vllazninë dhe në futbollin shqiptar kështu që nuk arrita të ambjentohesha ashtu siç duhet dhe në kohën e duhur. Kam shënuar 5 gola por sigurisht që ky numër duhej të kishte qenë më I madh megjithatë përgjithësisht jam I kënaqur sepse siç thashë, hasa probleme jo vetëm unë por edhe e gjithë skuadra gjatë këtij sezoni.
-Por patët premtuar 15 gola apo jo?
-E kam sqaruar edhe njëherë këtë gjë dhe po e sqaroj sërish. Unë nuk kam premtuar asnjëherë se do shënoj 15 gola ndoshta duke I parandjerë edhe problemet e ambjentimit me skuadrën. Kanë qenë drejtuesit e klubit vetë ata që bënë një pikë në kontratë se nëse do shënoja aq gola, do kisha një bonus. Kjo është e vërteta.
-Kur do niseni për në Kosovë?
-Unë do nisem sot (dje) meqë tashmë kampionati mbaroi.
-Keni biseduar me ndonjërin nga drejtuesit e klubit apo ju kanë bërë ato ndonjë ofertë për të rinovuar?
-Vetëm para disa kohësh kam patur një kontakt të shkurtër me presidentin dhe që atëherë asgjë më shumë. Në kushte të tilla nuk e di të them se cila do jetë e ardhmja ime. Unë kam dëshirë të vazhdoj të luajë për Vllazninë por e përsëris që asnjë nga drejtuesit nuk më ka thënë asgjë në këtë drejtim.  Unë po nisem tashmë drejt Kosovës dhe kur të kthehem ndonjë ditë, mbase do bisedojmë për këtë çështje.
-Kur do ktheheni sërish në Shkodër?
-Nuk e di me saktësi. Them se shpejt, ose maksimumi deri në fund të muajit kur mbyllet edhe zyrtarisht kontrata ime me Vllazninë. Do vij për të dorëzuar bazën materiale por për të parë edhe se çfarë do bëhet deri atëherë me disa rrogat që kam ende pa marrë.
-Që do të thotë se nuk jeni likujduar krejt nga ana e klubit?
-Po kjo është e vërtetë. Pres që klubi të jetë korrekt me mua në këtë drejtim në mënyrë që të mos u drejtohem pastaj instancave të tjera për të kërkuar të drejtën time. Unë ende shpresoj se jo vetëm do më likujdojnë por edhe do më thërrasin për të biseduar për një kontratë të re.
Gjergj KOLA

 

Statistikat e Rexhës:
Ndeshje të luajtura: 21
Minuta në total: 1218
Ndeshje si titullar:  16
Ndeshje si zëvendësues: 5
Gola të shënuar: 5