
Në stërvitjen e djeshme të ekipit të Vllaznisë, ajo që ka rënë në sy ka qenë prania e dy emrave të rinj. Bëhet fjalë për Kastriot Rexhën dhe Behar Ramadanin. I pari nuk është krejt I panjohur për opinion sportiv shkodran pasi ka qenë pjesë e kuqebluve edhe gjatë sezonit të kaluar. I dyti ndërkohë, ndonëse është shkodran nuk ka luajtur asnjëherë me Vllazninë. Ata të dy megjithatë pritet të jenë pjesë e saj në sezonin e ri. Për Rexhën kishte ditë që flitej për një rikthim të mundshëm sërish në “Loro Boriçi”. Sulmuesi shtatëlartë megjithatë kishte nisur stërvitjen me ekipin Trepça ’89 dhe dukej shumë pranë firmës me të. Megjithatë një telefonatë e drejtorit sportiv të Vllaznisë Grima pasditen e së dielës, e ka bërë atë të ndryshojë mendje. Për rrjedhojë menjëherë është nisur nga Prishtina dhe në orën 02.00 të mëngjesit të djeshëm ka qenë në Shkodër. Madje, ka qenë I pranishëm edhe në stërvitjen e paradrekes që ka nisur në orën 09.00 duke zhvilluar seancën e parë me kuqeblutë. Firmosja e kontratës për të duket çështje e mbyllur dhe pritet që ky proces të kryhet edhe zyrtarisht ndoshta që ditën e sotme. Nuk bëhen të ditura detajet e kontratës dhe kohëzgjatja e saj por gjasat janë që Rexha të ketë pranuar të firmosë me kushtet aktualë që ka Vllaznia. Emri që ka bërë përshtypje në stërvitjen e djeshme të kuqebluve ka qenë ai I Behar Ramadanit. Mesfushori shkodran që nuk ka luajtur asnjëherë më parë me këtë skuadër por karrierën e tij e ka zhvilluar në Burrel fillimisht dhe më pas në dy sezonet e fundit me Luftëtarin e Gjirokastrës, ka dalë në stërvitje nën drejtimin e trajnerit Canaj. Ai pritet të jetë një forcë më shumë në rradhët e kësaj skuadre teksa tashmë e ka krijuar një eksperiencë në futbollin shqiptar duke shfaqur edhe vlerat e tij. Në këtë mënyrë tashmë mund të thuhet se tek Vllaznia janë ofruar edhe dy emra më shumë. Me to, mund të rregullohen disa gjëra në repartet e mesfushës dhe të sulmit. Në ditët e ardhshme sigurisht që do të vijnë edhe emra të tjerë për ta përforcuar edhe më shumë Vllaznisë sepse ajo ka nevojë për lojtarë me eksperiencë.
Malazezi Aruçeviç. Përveç dy emrave të mësipërm, në stërvitjen e pasdites së djeshme me ekipin e Vllaznisë ka qenë edhe një futbollist nga Mali I Zi por me origjinë shqiptare. Bëhet fjalë për 20 vjeçarin Edmir Aruçeviç I cili luan si mesfushor krahu. Ai karrierën e tij në vendin fqinj e ka patur tek Mogren I Budvas ndërkohë që në sezonin e fundit ka luajtur fillimisht në Hungari dhe më pas me ekipin Bar të Tivarit. Ai ka shfaqur dëshirën të luajë për Vllazninë në sezonin e ri megjithatë duhet parë forma e tij dhe cilësitë si futbollist. Për këtë arsye do jetë trajneri Canaj që do ta ketë nën vëzhgim për disa ditë dhe më pas do vendosë nëse do qëndrojë apo jo. Aruçeviç ka qenë pjesë ekipeve kombëtare të moshave të Malit të Zi për U-15, U-17 dhe U-19 dhe mendon se mund të jetë I dobishëm për Vllazninë megjithatë këtë duhet ta tregojë në fushën e stërvitjes gjatë këtyre ditëve.
Gjergj KOLA