Kastrioti dhe Laçi ndanë nga një pikë në një sfidë të tensionuar të zhvilluar në “Redi Maloku” të Fushë Krujës, kur kryesori nxori dy kartonë të kuq, një për çdo skuadër për shkak të lojës së ashpër.
Krutanët ishin shumë pranë fitores deri në minutën e fundit të kohës së rregullt, po kurbinasit, të sprovuar në situata të tilla barazuan 1-1, duke marrë një pikë në këtë transfertë të vështirë.
Loja nisi e fortë dhe me dyluftime të ashpra në mesfushë, duke e detyruat kryesorin Juxhin Xhaja që të nxirrte njëri pas tjetrit kartonët e verdhë.
Gjatë pjesës së parë Laçi ishte më konkret në lojën sulmuese, duke iu afruar golit me Xhixhën dhe Mersinajn, ndërsa në momentin që skuadrat po bëheshin gati t’u drejtoheshin dhomave të zhveshjes, Emiliano Çela kryen një ndërhyrje të rëndë ndaj Fangajt, me Xhajën që nuk heziton t’i tregojë kartonin e kuq.
Vetëm gjatë 20 minutave të para të pjesës së dytë kurbinasit luajtën me një lojtar më shumë, pasi forcat e balancuan në të 65-ën, me Najdenov që mori kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje ndaj Junior.
Kastrioti mori zemër dhe në minutën e 79-të Junior goditi befasisht me të majtën nga jashtë zonës, duke e kapur të papërgatitur portierin Selmani, 1-0.
Avantazhi i vendasve zgjati vetëm 10 minuta, pasi në të 89-ën shkodrani Fangaj barazoi takimin, duke i mohuar Kastriotit festën për fitoren e dytë në Superiore.
Për Laçin ky ishte barazimi i tretë radhazi, që e çon në kuotën e 7 pikëve, ndërsa Kastrioti lë në vendin e fundit Luftëtarin, me 4 pikë në 5 javë.