Merr fund makthi. Kastrioti gjen trajnerin e ri. Në kampin krutan duket se po hapet drita jeshile për sezonin e ri futbollistik. Drejtuesit kanë zgjedhur Ramadan Ndreun në këtë rol, një njohje e vjetër për krutanët.
E ka drejtuar për disa vite ekipin e qytetit të tij dhe askush më mirë se ai nuk mund t’i ndihmojë në këto ditë të vështira. Do të ketë vërtetë shumë punë, pasi skuadra është e gjitha për t’u ribërë.
Janë larguar 14 futbollistë dhe shumë të tjerë ende nuk e kanë ndarë mendjen se si do të veprojnë. E megjithatë, “Dania” e ka vërtetuar se di të përballojë situata të tilla. Kjo ndoshta i ka çuar drejtuesit drejt tij. Pas disa ditësh kanë negociuar dhe pasi arritën akordin, dje shkuan drejt firmës.
Misioni i 57-vjeçarit do të jetë i qartë, ringritja në elitë. Do të jetë patjetër mision i vështirë, por jo i pamundur. Ramadan Ndreu vjen me CV të ngjeshur, pasi gjatë karrierës së tij ka drejtuar Laçin, Kamzën, Kukësin, por dhe ekipe të Kategorisë së Parë si Mamurrasi dhe së fundi Tërbunin. Me zgjidhjen e këtij ngërçi, pritet që të nisë edhe merkatoja.
Do të ketë përforcime në çdo repart, për të mbushur boshllëqet e lëna nga largimet e Abaz Karakaçit, Silvio Zogajt, Bedri Grecës, Edon Hasanit, Milosh Stojanoviçit, Armando Ramit, Mustafa Kamarës, Olauale Onanungës, Martin Prenkoçeviçit, Edmir Salit, Spartak Ajazit, Adolf dhe Santiago Selmanit.