Valbona si debutuese në Kategorinë e Parë dhe Kastrioti, dhjetë ditë para fillimit të sezonit 2024-2025, kanë matur forcat në një ndeshje miqësore, që u luajt dje në kompleksin “Internacional” në Pezë. Takimi u fitua nga krutanët në shifrat 2-1.
Pjesa e parë ka qenë më mirë për të besuarit e trajnerit Dorian Bubeqi, që shënuan dy herë, ndërsa tropojanët e gjetën golin e nderit në pjesën e dytë. Takimi nisi i balancuar dhe sinjalin e parë e dhuroi Valbona me një gjuajtje nga 25 metra, ku topi kaloi ngjitur me traun e portës nën vështrimin e portierit Puja.
Në minutën e 24-t vjen edhe goli i parë i ndeshjes, që shënua nga Kastrioti. Toni merr një asist nga Xhafa brenda zonës dhe gjuan fort, duke zhbllokuar shifrat, 0-1 për krutanët. Kastrioti vazhdon të luaj më mirë duke e pasur topin në zotërim. Në minutën e 37-të, pas një prekje të topit me dorë nga një mbrojtës i Valbonës, akordohet penallti për krutanët.
Berisha tregohet i saktë nga pika e bardhë duke shënuar edhe golin e dytë. Me rezultatin 2-0 në favor të Kastriotit u mbyllën 45 minutat e para. Fraksioni dytë është disi më i mirë për tropojanët, ku futja në lojë e portierit Fjoralb Hoxha bëri që porta e Valbonës të mos preket më, duke u berë shpëtimtari në tri raste të pastra të krutanëve. Jetnor Krasniqi, në minutën e 78-të të ndeshjes driblon dy mbrojtës të Kastriotit dhe pasi del vetëm për vetëm me portierin arrin të shënojë golin e vetëm për Valbonën. Gjatë pjesës së dytë të dyja skuadrat aktivizuan të gjithë lojtarët që patën në dispozicion.
Valbona – Kastrioti 1-2
Golat: Krasniqi 78′ / Toni 24′, Berisha 37′
Valbona: Marku, Rosaj, Lamçe, Farruku, Sulka, Allamani, Pashkaj, Zeqiraj, Lala, Krasniqi, Vidrica. (U aktivizuan; Hoxha, Mashi, Doçi, Balla, Llanaj, Camilo, Isna, Sebastian, Kola). Trajner: Osman Qelia
Kastrioti: Puja, Qyra, Toni, Kevin, Muaj, Arapi, Kuka, Maurizio, Berisha, Ymeraj, Ajazi. (U aktivizuan; Veseli, Moses, Bradley, Biba, Xhafa, Allamani, Kullaj, Hodo, Ndreu). Trajner: Dorian Bubeqi
Gjyqtarë: E. Menkshi, K. Shehu, P. Shule (Tiranë)