Dy qendërmbrojtësit Raphael Varane dhe Konate janë prekur nga një virus që është përhapur brenda skuadrës së Francës në Katar, vetëm dy ditë para finales së Kupës së Botës kundër Argjentinës.

Varane dhe Konate janë dy të fundit në listën e pesë futbollistëve të sëmurë në kampin francez

Sipas RMC Sport, ata u ndien keq të premten dhe nuk dihet nëse morën pjesë në stërvitje me skuadrën këtë pasdite.

Megjithatë, në kampin francez, tani për tani, nuk shqetësohen se ata mund të mungojnë në finalen e së dielës pasdite kundër Argjentinës.

Numri i lojtarëve francezë që u sëmurën këtë javë ka shkuar në pesë tani.

Dayot Upamecano dhe Adrien Rabiot munguan në fitoren e Francës 2:0 në gjysmëfinale kundër Marokut në Al Bayt Stadium të mërkurën, pasi u sëmurën në ditët e fundit.

Trajneri Didier Deschamps tha se Franca është duke i marrë të gjitha masat parandaluese për ta ndalur përhapjen e virusit nëpër skuadër para finales së Kupës së Botës kundër Argjentinës.

Upamecano u rikthye në stërvitje të martën dhe ishte në stol kundër Marokut, ndërsa Rabiot u la në dhomën e vet në hotel. Kingsley Coman ka pasur ethe po ashtu mëngjesin e ditës së ndeshjes, sipas Deschamps.

Edhe pse nuk është e qartë se çfarë virusi është duke e prekur kampin francez, shumë vizitorë në Katar kanë pasur telashe me një sindrom respirator, i cili mund të shkaktojë sëmundje të llojit grip.

“Në Doha, temperaturat kanë rënë paksa, ndërsa ftohëset e ajrit janë gjithmonë të ndezura”, tha Deschamps.

“Ne i kemi disa raste me simptoma të gripit. Po përpiqemi të jemi të kujdesshëm në mënyrë që virusi të mos përhapet në mesin e lojtarëve, të cilët kanë bërë përpjekje të mëdha në fushën e lojës dhe natyrisht sistemi i tyre i imunitetit mund të pësojë”, shtoi ai.

“Jemi duke i marrë të gjitha masat parandaluese, po përpiqemi të sigurohemi që virusi nuk përhapet, por viruset janë ngjitëse”.

Franca e mundi Marokun falë golave nga Theo Hernandez dhe Randal Kolo Muani dhe në finale do të përballen me Argjentinën të dielën.