Nga Maringlen ZHIVANI

Murlani është mposhtur me rezultatin 1-0 nga Naftëtari, në ndeshjen e luajtur pasditën e sotme në stadiumin e qytetit të Kuçovës, “Bashkim Sulejmani”, në kuadrin e takimeve të javës së tretë të kampionatit të Kategorisë së Dytë.

Në fakt, kuptohet që ka qenë një takim shumë i vështirë, sepse përballë skuadrës së trajnerit Vahedin Pepaj ka qenë Naftëtari, një nga pretendentet e grupit A për t’u ngjitur një Kategori më lart.

Skuadra e Murlanit u mbrojt përgjithësisht mirë, teksa herë pas here kërkoi edhe të kundërsulmojë. Megjithatë, nuk ia ka dalë të marrë qoftë edhe një pikë në këtë transfertë të vështirë, e cila është mbyllur me fitoren e ngushtë 1-0 në favor të Naftëtarit.

Naftëtari-Murlani 1-0

Formacioni i Murlanit: Çaku, Curraj (Preza 89’), Hila, Nikaj, Nika, Djepaxhia (Gjylbegaj 68’), Shpuza, Pepaj, Çokaj, Cubi (Gazulli 79’), Uku (në dispozicion: Ndreka, Muriqi) Tr: Vahedin Pepaj