Kampionati i Kategorisë së dytë do të fillojë me 25 shtator. Deri tani akoma nuk është hedhur shorti në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe ekipet nuk janë njohur me kundërshtarët e tyre. Një nga skuadrat pjesëmarrëse në të dytën është edhe Veleçiku. Skuadra koplikase e drejtuar nga trajneri Besnik Duli ka siguruar pjesëmarrjen në Kategorinë e Dytë.
Këtë vit objektivi i vetëm i Veleçikut është qëndrimi në të dytën. Koplikasit nuk kanë fondet e mjaftueshme për të bërë diçka më shumë ndaj do të punojnë vetëm për të siguruar mbijetesën sepse dalja në të parën shihet si një mision i pamundur. Veleçiku ka disa kohë që po stërvitet por akoma nuk është konsoliduar. Disa lojtarë akoma nuk kanë vendosur nëse do të vijojnë të qëndrojnë aty ndërsa disa të rinj janë në prove tek koplikasit. Tre nga lojtarët kryesor të ekipit i kanë dhënë lamtumirën Veleçikut. Golashënuesi më i mirë i sezonit të fundit Gazmir Kurti ka firmosur për Tërbunin e Pukës duke marrë me vete tek skuadra pukjane edhe Çobën. Presidenti i Tërbunin Petrit Sylja ka bërë oferta të konsiderueshme për dy futbollistët të cilët nisur nga kushtet më të mira ekonomike kanë preferuar Tërbunin. Nderkohë që mesfushori Grimci është futbollisti i tretë që është bashkuar me Adën e Velipojës. Velipojakët luajnë në Kategorinë e Parë dhe janë pretendente për daljen në Superligë, kjo ka joshur Grimcin duke zgjedhur një ekip me prestigj më të madh. Çokaj është një tjetër lojtar i Veleçikut që akoma nuk ka dalë në seancat stërvitore. Vijon të jetë pa ekip dhe është në pritje për të parë se cila mund të jetë e ardhmja e tij, me shumë mundësi mund të rikthehet sërish tek koplikasit. Ndërsa portieri Dorzaj, pasi provoi aventurën gjermane para pak kohësh dhe së fundmi një provë disa ditore tek Ada e Velipojës, në të dy rastet nuk ka gjetur rehatinë e pritshme dhe është rikthyer tek Veleçiku për të qenë sërish gardiani i rrjetës së këtij ekipi. Koplikasit po provojnë edhe disa të rinj shkodran dhe kryesisht po kërkojnë element për të plotësuar repartin e sulmit pas largimit të Kurtit, akoma nuk është bërë përzgjedhja gjë e cila mund të ndodhë këto ditë. Veleçiku megjithë problemet që ka, grupin kryesor të lojtarëve e ka ruajtur. Futbollistë si Çolaj, Bushati, Tanushi, Puka, Rajçeviç, Miculi apo edhe Dorzaj do të jenë pjesë e ekipit të qytetit të Koplikut. Grupi i futbollistëve është, por problemi shumëvjeçar vijon të jetë i njëjtë, mungesa e fondeve për të krijuar një ekip pretendent. Kryebashkiaku Ramadan Lika, ndonëse një fans i Veleçikut, vitet e fundit ka humbur interesin e dikurshëm kur kjo skuadër nën drejtimin e tij, arriti daljen historike në Kategorinë e Parë. Raportet kanë ndryshuar. Ndoshta punët e Bashkisë e kanë privuar dhe mjaftohet duke i siguruar ekipit te tij të zemrës vetëm mbijetesën në të dytën. Veleçiku ka zhvilluar disa ndeshje miqësore me skuadra të ndryshme, nga ku është parë gjendja sportive në prag të sezonit të ri që pritet të fillojë me 25 shtator.