Janë mbyllur pa fitues katër ndeshjet e para të javës së tretë në Kategorinë e Parë. Apolonia ngeci në shtëpi në një barazim 1-1 përballë Besës. Skuadra kavajase e mbylli pjesën e parë në avantazh (Albi Xhabrahimi), por fierakët evituan humbjen në minutat shtesë. Falë golit të nigerianit Umejiego.

I njëjti rezultat edhe në Bylis-Tomori. Ballshiotët u frenuan pas dy fitoreve radhazi, njësoj si Apolonia. Braziliani Jonathan kaloi beratasit në avantazh në fraksionin e parë të takimit. Vendasit reaguan në të dytën dhe siguruan pikën nëpërmjet realizimit të Serxhio Eminit.

Kastrioti-Flamurtari përfundoi ashtu siç nisi: 0-0. Kuqezinjtë nga Vlora, që mbeten në kërkim të suksesit të parë, e mbyllën takimin me dhjetë lojtarë. Pas daljes me të kuq të sulmuesit Marko Krivicic.

Rezultati 0-0 u regjistrua edhe në përballjen Luzi-Korabi. Apolonia dhe Bylis kryesojnë kampionatin me nga 7 pikë. Kuotë që mund të arrijë edhe AF Elbasani, nëse fiton të hënën përballë Lushnjes në transfertë.