Sezoni i ardhshëm në Kategorinë e Parë do t’I japë fund skemës që është përdorur vitet e fundit me dy grupe të ndara nga 10 skuadra që luftonin për ngjitjen dhe mbijetesën. Që nga sezoni 2020-2021, fillon reduktimi pak nga pak i skuadrave të kësaj kategorie, duke shënuar menjëherë ndryshimin nga 20 skuadra në 18.
Kjo ka sjellë edhe ndryshimin e strukturës së kampionatit, që tashmë do të zhvillohet me një grup të vetëm të përbashkët, me sistem vajtje-ardhje për të përcaktuar ekipet që ngjiten më lart në Superiore e ata që bien në Kategorinë e Dytë, me planin që parashikon që edicioni 2021-2022 të zhvillohet me praninë e 16 skuadrave.
Në edicionin altual, do të shohim në këtë kategori shumë emra të njohur të futbollit shqiptar që kanë fituar tituj kampion e Kupa, skuadra të traditës që kanë prodhuar disa nga emrat më të njohur në historinë e futbollit tonë.
Ndërkohë, do të ketë edhe një derbi të kryeqytetit, pasi aty do të vihen përballë DInamo dhe Partizani B, në një sfidë që sigurisht nuk do të ketë shijen e asaj të viteve të kaluara në Superiore, por do të kthejë disi nostalgjinë për një duel që ka qenë ndër më rivalizuesit në futbollin tonë.
Në vijim, të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në edicionin 2020-2021 në Kategorinë e Parë:
Besa, Besëlidhja, Burreli, Korabi, Dinamo, Egnatia, Elbasani, Erzeni, Flamurtari, Luftëtari, Lushnja, Oriku, Partizani B, Pogradeci, Tomori, Turbina, Veleçiku, Vora. /vipsport/