Sapo kanë përfunduar ndeshjet e javës së 30-të të Kategorisë së Parë. Apolonia dominon sfidën përballë Korabit dhe fiton 3-0 ndeshjen që u transmetua drejtpërdrejt në RTSH Sport. Fierakët marrin fitoren e tretë radhazi në kampionat, ngjiten në kuotën e 40 pikëve dhe mbajnë gjallë shpresat për një vend në Play Off.
Kukësi duket se është “preja” e preferuar e Kastriotit. Krutanët fitojnë 2-0 përballë verilindorëve në “Redi Maloku”, duke rigjetur suksesin që mungonte prej 10 javësh në kampionat. Skuadrën e fundit që kishte mundur Kastrioti ishte pikërisht Kukësi në 19 janar të këtij viti. Kjo përballje erdhi drejtpërdrejt për shikuesit në RTSH 2.
Ka pasur rezultate interesante në ndeshjet e tjera të javës së 30-të. Kryesuesit e Vorës munden 1-0 në Pogradec nga skuadra vendase, që ngjitet në kuotën e 43 pikëve.
Flamurtari ndalet në një barazim të bardhë pa gola 0-0 në “Liri Ballabani” përballë Burrelit të vendit të katërt. Përfiton Besa, që mposht 2-0 Erzenin dhe ngushton në 4 pikë diferencën me vlonjatët në tabelën e klasifikimit.
Lushnja mposht 4-1 Valbonën dhe mban gjallë shpresat për një vend në zonën e Play Off-it.