Kategoria Superiore do të luajë ditën e sotme ndeshjet e dyta të javës së shtatë. Edhe në takimet e luajtura ditën e djeshme u konfirmua se këtë sezon gara mes ekipeve do të jetë shumë e ngjeshur dhe e luftuar.
Si për të konfirmuar këtë start me diferenca minimale mes ekipeve, nga katër skuadra që sot zbresin në fushë, tre prej tyre në rast se fitojnë mund të marrin kreun e renditjes.
Kështu, një sfidë e drejtpërdrejt mund të konsiderohet ajo e orës 17:00 në Elbasan Arena mes Kukësit dhe Vllaznisë. Verilindorët u mposhtën në javën e kaluar nga Teuta, megjithatë suksesi mund t’i japë kryesimin e klasifikimit.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro do të kërkojë të përfitojë nga hapi fals i Partizanit dhe Tiranës për t’i parakaluar në renditje. Sakaq, Vllaznia vjen me moralin lart pas triumfit 4-0 ndaj Skënderbeut, ndërsa edhe shkodranët falë ngjeshjes së klasifikimit në rast suksesi mund të katapultohen në kryesim.
Ndërkohë, në sfidën tjetër, Laçi do të presë në orën 14:00 Bylisin. Kurbinasit kanë objektiv t’iu rikthehen fitoreve të cilat i kanë harruar prej dy ndeshjes. Të besuarit e Starovës kanë grumbulluar vetëm gjashtë pikë në këto gjashtë javë. Por, një trepikësh i afron me skuadrat e kreut i largon nga fundi i tabelës.
Ndërkaq, Bylisi mund të konsiderohet surpriza e këtyre javëve të para. Ballshiotët kanë grumbulluar 11 pikë dhe një fitore i nxjerr në kryesim solitar. Skuadra e drejtuar nga trajneri Dovedan ka pësuar vetëm një humbje në javën e parë të Superiores dhe më pas ka vazhduar marshimin, ku edhe sot synon maksimumin në një fushë aspak të lehtë. /VipSport/