Nga 5 boksierët shkodranë që po marrin pjesë në turneun e rëndësishëm ndërkombëtar “Gongu i Artë” që po zhvillohet në Shkup të Maqedonisë, katër prej tyre kanë fituar të drejtën për të dalë në finalet e tij, finale këto që do zhvillohen ditën e sotme. Janë pikërisht boksierët Kristian Shytani, Asmer Bilali, Kristian Demaj dhe Bekim Vjerdha që e kanë fituar këtë të drejtë dhe sot do kërkojnë edhe medaljet e arta. Sipas informacioneve që vijnë nga Shkupi, dy prej këtyre boksierëve, pikërisht Kristian Shytani që garon në peshën 64 kilogramë, në bazë të shortit të hedhur ka kaluar direkt në finale dhe këtë fat ka patur edhe boksieri i peshës 75 kilogramë Bekim Vjerdha. Ndërsa tre boksierët e tjerë janë ndeshur në ring për ta fituar këtë të drejtë. I pari është ngjitur Ronildo Piranej i peshën 56 kilogramë. Ai është ndeshur me një boksier hungarez me shumë eksperiencë dhe ka humbur ndaj tij nuk mos patur të drejtë ta vazhdojë më këtë turne. Krejt ndryshe ka qëndruar puna me dy boksierët e tjerë. Asmer Bilali në peshën 69 kilogramë, është ndeshur me një boksier nga Kosova dhe e ka mundur atë. Duhet theksuar se është hera e parë që ekipi kombëtar i Kosovës merr pjesë në një aktivitet të tillë të rëndësishëm ndërkombëtar ngaqë është në prag të njohjes nga Federata Botërore e Boksit Amator. Nga ana tjetër, i suksesshëm ka qenë edhe Kristian Demaj në peshën 81 kilogramë teksa ka mundur një boksier nga Sllovenia dhe në këtë mënyrë ka fituar të drejtën për të dalë në finalen e “Gongut të Artë”. Bashkë me të pra do jenë edhe Kristian Shytani, Asmer Bilali dhe Bekim Vjerdha. Në ndeshjet finale, Shytani dhe Vjerdha do të ndeshen me dy boksierë vendas të Maqedonisë ndërsa Bilali dhe Demaj me dy boksierë bullgarë. Në këtë mënyrë duket se do realizohen edhe premtimet e trajnerit Zef Gjoni për të nxjerrë të paktën dy ose tre boksierë fitues në peshat e tyre.

www.shkodrasport.com