Katër boksierë të ekipit të Vllaznisë menjëherë pasi janë kthyer nga kampionati kombëtar I të rriturve që u zhvillua pak ditë më parë në Vlorë dhe që u shoqërua me titullin e 19-të kampion si ekip, tashmë do të marrin pjesë në një tjetër aktivitet. Bëhet fjalë për një turne ndërkombëtar boksi që do të zhvillohet për dy ditë me rradhë, të shtunën dhe të dielën në Sarajevë të Bosnjë- Hercegovinës. Sipas informacionit që na jep trajneri I këtij ekipi, I mirënjohuri Zef Gjoni, drejt Bosnjës ditën e premte bashkë me të do të udhëtojnë katër boksierë të këtij ekipi. Bëhet fjalë për Kristian Shytanin që do të konkurrojë në peshën 64 kilogramë, për Asmer Bilalin që do konkurrojë në peshën 69 kilogramë, për Syrjan Marinajn në peshën 81 kilogramë dhe për Nelson Hysën që si zakonisht merr pjesë në peshën super të rëndë. Kuptohet që me të katër këta sportistë, objektivi do të jetë për të zënë vendet e para por kuptohet që parashikohet të ketë ndeshje shumë të forta sepse në këtë turne do të marrin pjesë edhe shumë boksierë nga vendet e tjera të Ballkanit dhe të Europës. E rëndësishme është që boksierët shkodranë vazhdojnë të jenë present në shumë aktivitete ndërkombëtare. Turneu I Sarajevës do t’I lërë vendin më pas një frymëmarrje për këta sportistë ndërkohë që objektivi I rradhës më pas për ta, do jenë tre turne të rëndësishëm që do të zhvillohen në muajin nëntor, në Shkup të Maqedonisë fillimisht, më pas në Prishtinë dhe për ta mbyllur me turneun që do të zhvillohet në Beograd të Serbisë. Siç shikohet, numri I turneve ku do të marrin pjesë boksierët e Vllaznisë është I madh por për ta e rëndësishme është që të maten me boksierët e tjerë të vendeve të Rajonit për të treguar vlerat e tyre dhe kuptohet edhe për të ngritur flamurin shqiptar.

Gjergj KOLA