Katër boksierë të Vllaznisë bashkë me trajnerin Zef Gjoni janë nisur paraditen e së premtes drejt Kosovës ku do të marrin pjesë në turneun ndërkombëtar “Adem Jashari” që zhvillohet çdo vit në këtë vend. Bëhet fjalë për sportistët Vuksan Guri që do të konkurrojë në peshën 52 kilogramë, Arjon Kajoshi në 75 kilogramë, Syrjan Marinaj në 81 kilogramë dhe Nelson Hysa në peshën super të rëndë. Por përveç katër boksierëve shkodranë, pjesë e ekipit tonë kombëtar do të jenë edhe katër sportistë të tjerë. Bëhet fjalë për durrsakun Ardit Murja që do të konkurrojë në peshën 56 kilogramë, vlonjati Krenar Zeneli në peshën 60 kilogramë dhe tiranasit, Denis Nurja në 69 kilogramë e Indrit Laçi në 91 kilogramë. Siç shikohet, përbërja e ekipit tonë kombëtar është thuajse e plotë dhe natyrisht që do të kërkohet një paraqitje e mirë e sportistëve tanë për të zënë disa vende të para. Megjithatë nuk do të jetë e lehtë. Kjo ngaqë ka një pjesmarrje të konsiderueshme sepse përveç boksierëve nga Kosova dhe Shqipëria ka edhe nga Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Greqia, Çekia, Belgjika, Polonia dhe Italia. Pra, janë 10 shtete pjesmarrëse të cilët me boksierët e tyre do të masin forcat në ringun e Prishtinës. Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen ditën e shtunë në pallatin e sportit të Prishtinës ndërsa finalet do të jenë ditën e dielë. Trajneri i kombëtares tonë Zef Gjoni përpara nisjes për në Kosovë ka deklaruar se forma sportive e boksierëve tanë është përgjithësisht e mirë dhe objektivi është padyshim që të zënë 2-3 vende të para. Nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe më shumë megjithatë gjithçka do të varet edhe nga shorti por edhe nga niveli i boksierëve të tjerë pjesmarrës.

www.shkodrasport.com