Fakti që katër futbollistët e ekipit U19 të Akademisë Vllaznia janë grumbulluar së fundmi në kombëtaren U20 është treguesi më i mirë i vlerave që ky ekip posedon.
Jo më kot ai është prej dy vitesh rradhazi kampion i Shqipërisë dhe po ashtu edhe sivjet pretendon t’i fitojë të dy trofetë, edhe kupën edhe kampionatin.
Vllaznia U19 të shtunën u kualifikua për në gjysmëfinale të Kupës duke munduar Akademinë e Futbollit me rezultatin 1-0 falë golit të shënuar nga mbrojtësi Serjan Repaj.
Ky i fundit në fakt është njëri nga katër lojtarët e grumbulluar edhe në kombëtaren U20. Përveç tij janë edhe portieri Kristi Qarri, mbrojtësi tjetër Elmir Lekaj dhe mesfushori Uheid Hoxha.
Drejtuesit e Akademisë Vllaznia kanë ngritur shpeshherë zërin për më shumë vëmendje për këtë brez futbollistësh dhe ajo duket se ka zënë vend tashmë.
Ndoshta mund të kishte patur edhe ndonjë element tjetër të thirrur por sërish grumbullimi i katër lojtarëve nga Vllaznia ndër 18 që janë në dispozicion të trajnerit Biturku, është sërish një tregues i dominimit të tyre në këtë kombëtare.
© shkodrasport.com