Të shtunën kanë përfunduar katër kupat e organizuar nga Zyra Rajonale e FSHF-së me ekipet e moshave të zonës së Shkodrës. Inisiativa e shefit të kësaj zyre Hysen Zmijani është karakaterizuar nga një garë shumë e fortë mes ekipeve për disa javë me rradhës derisa është mbërritur në takimet finale. Ato janë zhvilluar të gjitha ditën e shtunë. Kanë qenë katër kupa, ato për grupmoshat 11, 13, 15 dhe 19 vjeçare të cilat kanë mbajtur edhe emrat e katër futbollistëve të njohur të Vllaznisë si Ernest Halepjani, Sadetin Zmijani, Qamil Halluni dhe Kol Gjoni. Në finalen e kupës së 11 vjeçarëve që ka mbajtur emrin e Kol Gjinit, ish-mbrojtësit të Vllaznisë së viteve ’50, në finale kanë dalë ekipet Brian’s dhe Rozafa. Ka fituar përmes gjuajtjeve së penalltive Rozafa me trajner Erjon Hasajn.

Në finalen e kupës së 13 vjeçarëve që ka mbajtur emrin e Qamil Hallunit, ish-futbollistit të Vllaznisë, Dinamos, Partizanit dhe ekipit kombëtar, në finale kanë dalë Vllaznia dhe Brian’s. KOha e rregullt ka përfunduar në barazim 0-0 dhe pas gjuajtjes së penalltive, Vllaznia e drejtuar nga Luan Zmijani ka fituar 6-5 duke u bërë fituese e kësaj kupe. Në finalen e kupës së 15 vjeçarëve që ka mbajtur emrin e Sadetin Zmijanit, ish- kapitenit të Vllaznisë së vitit 1965 kur ajo do fitonte Kupën e Republikës, në finale do të dilnin Vllaznia dhe Djelmënia Shkodrane. Koha e rregullt përfundon në barazim dhe me penallti ka fituar Vllaznia e drejtuar nga trajneri Alban Volumi. E vetmja ndeshje që nuk ka patur nevojë për penallti ka qenë finalja e moshës 19 vjeçare. Në finalen e kupës që ka mbajtur emrin e të mirënjohurit Ernest Halepjani, kanë dalë Shkodra dhe Labeat. Ky i fundit ka fituar 1-0 dhe ka merituar kupën. Një sukes për futbollistët e kësaj skuadre dhe të trajnerëve Kastriot Preka dhe Nikolin Leka. Pas mbarimit të ndeshjeve është zhvilluar edhe ceremonia për dhënien e diplomave, kupave dhe disa dhuratave materiale sportive të sponsorizuar nga deputeti Tom Doshi. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe familjarë të katër figurave të shquara të futbollit për të cilat janë organizuar këto kupa, madje kanë qenë ata që kanë dhënë kupat përkatëse. Kanë asistuar edhe figura të tjera të njohura të futbollit shkodran si Ramazan Rragami, Selami Dani, Nikoll Gjergji e Esat Egerçi që kanë nderuar ekipet më të mira të këtyre kupave. Në këtë mënyrë është mbyllur në mënyrën e duhur një aktivitet i tillë por shefi i Zyrës Rajonale të FSHF-së Hysen Zmijani ka bërë të ditur se shpejt mund të ketë të tjera kupa me ekipet e moshave për të nderuar të tjera figura të shquara të futbollit shkodran.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)

Ne foto: Ekipi Vllaznia U-13 fitues i kupes “Qamil Halluni”