Pas katër orë diskutimesh, shpeshherë madje edhe jashtë teme, Asambleja e Përgjithshme e KF Vllaznia ka miratuar atë për të cilën ishte mbledhur: Passyrat financiare të vitit 2017.
Në sallë në momentin e votimit kanë qenë më shumë sesa 26 anëtarë, që është edhe minimumi i duhur për të nisur votimin dhe ndonëse socialistët kanë votuar kundër, sërish ata që kanë votuar pro kanë mjaftuar për t’i miratuar këto pasqyra.
Megjithatë votimi ka ardhur pas gati katër orësh mbledhje. Në sallë nuk kanë munguar as debatet, madje në momente të veçanta edhe me tone të ashpëra në mes kryebashkiakes Ademi dhe këshilltarit Nurja.
Shqetësimi i të gjithë të pranishme ka qenë situata ku ndodhet Vllaznia dhe vetë kryebashkiakja ka kërkuar që shumë shpejt të ketë një tjetër mbledhje të Asamblesë për të vënë pikat mbi “i” për të ardhmen.
Nga ana tjetër, ka patur diskutime edhe për shkaqet që çuan në rënien e skuadrës nga Superliga, ka patur akuza për administratorin që ka munguar edhe në këtë mbledhje dhe po ashtu edhe për stafin teknik.
Njëkohësisht, nuk kanë munguar as diskutimet në lidhje me procesin e privatizimit të klubit madje ka patur edhe këshilltarë të cilët janë shprehur hapur se Vllaznia nuk duhet privatizuar në këto kushte ku ndodhet.
Konkluzioni i përgjithshëm është se sot nuk ka patur as shkarkim të Këshillit aktual Mbikëqyrës, as plotësim të tij me numrin e duhur të anëtarëve dhe as konfirmim të Këshillit aktual.
Po ashtu, nuk ka ende emër administratori se kush do ta drejtojë klubin. Mbase Asambleja e ardhshme do t’i zgjidhë shumë nga këto dilema.
© shkodrasport.com