Te Totenhemi ka plasur kryengritja e kapitenit të skuadrës Harri Kejn i cili ditën e sotme nuk është paraqitur në stërvitje. Sipas klubit anglez, gjithçka lidhet me testin e Covid-19, por asgjë nuk është ashtu siç thuhet.

Kejn po i bën presion klubit ta lërë të lirë të transferohet te Mançester Siti me të cilin ka arritur dhe marrëveshjen personale.

Në qoftë se ky transferim do të ndodhte, do të ishte më i shtrenjti në historinë e Premier Ligës pasi do të kushtonte 187 milionë euro. Gjithashtu për Kejn do të ketë një rrogë faraonike prej 468 mijë euro në javë, ose 25 milionë euro në sezon.

Shifra të frikshme në kohë të tillë krizash, por Siti lakmon titujt dhe sheikët nuk pyesin për shpenzime. Ndërkohë, 28 vjeçari ka një kontratë me Totenhemin deri në vitin 2024, por para Europiani sulmuesi shprehej se ka nevojë për një ndryshim ambienti në mënyrë që të ketë mundësinë të fitojë tituj.