Gjykata e Arbitrazhit në Athinë ka dënuar sot 58 individë për rolet e tyre në skandalin e manipulimit të ndeshjeve, “Koriopolis”, që shpërtheu në vitin 2011.
Ndërsa për disa prej protagonistëve janë dhënë masa ndëshkimore edhe me burg për pjesëmarrje aktive.
Skandali u bë publik pasi shumë telefonata të përgjuara përfunduan në mediat më të mëdha në vend, duke zbuluar fytyrën e vërtetë të futbollit me emra bastvënësish, gjyqtarësh, futbollistësh, trajnerësh e pronarësh të cilën flisnin hapur për manipulime ndeshjesh në favor të basteve sportive.
Mes të dënuarve me burg janë edhe ish presidenti i Asteras Tripoli dhe ai i Olimpiakos Volou. Ky i fundit, Akiles Beos, ka qenë edhe kryetar bashkie në Volos, ndërsa u ndëshkua me 4 vite burg.
UEFA ka përshëndetur këtë vendim, për një çështje në të cilën ajo ka punuar përkah autoriteteve greke.
“Autoritetet greke filluan hetimin pasi UEFA u dorëzoi një listë prej 41 ndeshjesh të dyshimta në kampionatin vendas. Këto ndeshje u identifikuan nëpërmjet sistemit BFDS, në bashkëpunim me kompaninë Sportradar.
Në fillimin e hetimeve, UEFA bashkëpunoi me prokurorinë greke për këtë çështje ndërsa duket qartësisht se bashkëpunimi dypalësh për të identifikuar dhe përndjekur sjelljet kriminale, është thelbësore për çështje të tilla.
Përveç bashkëpunimit direkt me forcat policore dhe prokurorinë, UEFA punon gjtihashtu me EUROPOL ashtu si edhe autoretete të tjera kombëtare për të nxjerrë kriminelët para ligjit, duke i lejuar UEFA-s që të ndërmarrë masa disiplinore në mënyrë më të shpejtë dhe më efikase”, shkruhej në njoftimin e UEFA-s. /vipsport/