Vazhdon fushata anti-Serxho Ramos pas ndërhyrjes që detyroi Salah të linte fushën gjatë finales së Championsit.
Pas sulmeve në rrjetet sociale, gjykimit negativ nga ish-futbollistë, peticionit online dhe deri te denoncimi nga një avokat egjiptian, i cili kërkon edhe dëmshpërblim, situata po del nga kontrolli për “Gran Capitan”.
Sipas lajmeve të fundit nga shtypi spanjoll, Ramos është detyruar të ndërrojë numër telefoni, pasi disa telefonatash kërcënuese që ka marrë ditët pas fitores në Kiev.
Bëhet fjalë për kërcënime me vdekje. Pak a shumë siç i ndodhi portierit Karius, protagonist negativ edhe ai në finalen e Championsit.
Nga numra të panjohur, Ramos dhe familja e tij janë kërcënuar me vdekje. Një situatë e rëndë, që e ka prishur jo pak qetësinë në shtëpinë e kapitenit të Realit.
Ai është mësuar të sulmohet në rrjetet sociale, por nuk e priste këtë gjë në jetën e tij private.
Në këto kushte, përveçse ka denoncuar gjithçka në polici për telefonatat kërcënuese, Ramos ka ndërruar edhe numrin.
Ramos do të këndojë edhe në këngën zyrtare të Spanjës për Kupën e Botës, që titullohet “Një tjetër yll në zemër”. Kjo do të thotë Botërori i dytë, këtë herë si kapiten i Spanjës.
Edhe në këtë rast Ramos nuk u ka shpëtuar fyerjeve në rrjetet sociale, që e kanë quajtur “Vrasësi i Momo Salah”. Duket se situata nuk do të qetësohet derisa Salah të kthehet në fushë dhe të luajë në Botëror. / Vipsport/