Engin Firat është prej katër muajsh trajner i kombëtares së Moldavisë, por kjo nuk e ka penguar për të vazhduar bashkëpunimin me Vllazninë në rolin e drejtorit sportiv. Merkatoja kuqeblu ka qenë thuajse një ekskluzivitet i turkut edhe në janar. Pas incidentit që i ndodhi administratorit të klubit, Suad Lici, më 16 shkurt, teksa i kishin vendosur poshtë makinës një pako me lëndë plasëse, Firat reagoi përmes profilit të tij në rrjetet sociale.

Ndërsa dje iu përgjigj ekskluzivisht “Panorama Sport” për gjithçka e lidh me Vllazninë. 49-vjeçari pranon të komentojë situatën në Shkodër, qoftë për atë që po ndodh me ekipin, por edhe problemet jashtë futbollit. Ai zbulon se mesfushori brazilian, Hygor, kishte menduar ta linte futbollin, ndërsa thekson se trajnerit Jonuz i ka sjellë çdo lojtar që ka kërkuar.

Engin, sa i informuar jeni për situatën te Vllaznia dhe çfarë keni menduar kur mësuat se administratorit Lici i kishin vendosur poshtë makinës një pako me lëndë plasëse?

Natyrisht që jam i mirinformuar për situatën te Vllaznia. Ajo që ndodhi me Suadin është shumë e shëmtuar. Për mua nuk ka lidhje me Licin apo familjen e tij.

Sipas jush, kush fshihet pas këtyre ngjarjeve…?

Shqipëria ka njerëz shumë të mirë, por nuk duhen lejuar që disa persona të pistë të shkatërrojnë gjithçka të mirë që lidhet me vendin tuaj.

A jeni kërcënuar ndonjëherë gjatë kohës që keni punuar në Shkodër?

Kurrë. Askush nuk më ka kërcënuar gjatë asaj periudhe që kam punuar në Shqipëri. Nuk më kanë shqetësuar kurrë këto situata, pasi di si t’u përgjigjëm këtyre njerëzve. Por realisht dua të pyes se çfarë bën policia në këto kushte. Pastaj, këto situata nuk është hera e parë që ndodhin në ambientin sportiv në Shkodër. Nuk duhet harruar rasti i Ernest Gjokës. Është viti 2020 dhe njerëzit po përgatiten të shkojnë në Mars. Mendo tani se për çfarë gjërash po flasim ne… Shumë e trishtueshme.

Të kalojmë te skuadra, çfarë përshtypjeje ju ka bërë në ndeshjet e këtij viti dhe çfarë roli keni pasur ju personalisht në merkato…?

Unë mendoj se Vllaznia ka një skuadër të mirë. Ne mbështesim plotësisht trajnerin Mirsad Jonuz. I kemi sjellë atij të gjithë lojtarët që ka dashur. Vllaznia ka pasur shumë probleme me gjykimet, kryesisht në ndeshjet ndaj Tiranës. Por, në javët e fundit lojtarët e Vllaznisë nuk kanë qenë shumë të përqendruar, gjithashtu nuk kanë qenë agresivë sa duhet. Për këtë shkak ne kemi humbur lehtësisht shumë pikë.