César Pagani, mesfushori i Escuela Presidenti Roca, një ekip që luan në kategorinë e tretë argjentinase i ka drejtuar armën trajnerit të tij, në mënyrë që të aktivizohet si titullar.

Historia, e raportuar sot nga mediat lokale, ka shkaktuar dorëheqjen e menjëhershme të trajnerit Cristian Neira, edhe pse gjysma e skuadrës braktisi stërvitjen në shenjë solidariteti me trajnerin e tyre.

Ngjarja ka ndodhur para dy ditësh, në fund të seancës stërvitore, e cila ishte në funksion të ndeshjes së radhës të programuar për fundjavë. Sapo mësoi se nuk do të ishte në mesin e titullarëve, Pagani nxori armën nga çanta dhe, kërcënoi trajnerin Neira.

Por fatmirësisht tragjedia u parandalua nga ndërhyrja e shokëve të ekipit, të cilët e bindën, që të hiqte armën, por menjëherë pas ngjarjes trajneri Neira dha dorëheqjen nga drejtimi i ekipit.

Disa nga shokët e Paganit u bashkuan me trajnerin, duke deklaruar se nuk do luanin më me ekipin, nëse ai nuk kthehej.

Ndërkohë, presidenti i Federatës Emeterio Farias njoftoi fillimin e një hetimi, duke deklaruar se kishte marrë ankesa të tjera në të kaluarën për sjelljen e dhunshme të Paganit.

Disa prej shokëve të ekipit deklaruan se kishin marrë kërcënime nga familjarët e Paganit, në mënyrë që ti lironin atij vendin në formacion./EDS/