Flamurtari gjendet në situatë të vështirë prej vitesh. Klubi nga Vlora mban pozitën e fundit në klasifikim dhe rrezikon seriozisht të mbetet pas në luftën për mbijetesë. Java e tetë i vendosi djemtë e Sadedinit përballë Teutës, në fushën asnjëanëse të “Elbasan Arenës”.
Edhe pse ekipi zhvilloi një lojë të mirë, “perla” e Kallakut bëri që kuqezinjtë të dilnin pa pikë nga takimi i së premtes. Pikë, aq shumë të nevojshme në këtë situatë.
Pas takimit, administratori Sinan Idrizi i Flamurtarit ka paralajmëruar për ndryshime në çdo qelizë të klubit. Ai ka theksuar se stoli i trajnerit është në dyshim dhe se koha që lojtarët dhe stafi të adoptoheshin me njëri-tjetrin ka përfunduar.
Ai vijon t’i besojë Sadedinit edhe këtë javë, por tregon se stoli është i rrezikuar. Idrizi tregon se në klub do të ketë ndryshime në çdo qelizë, nëse vijohet me këtë ritëm. Flamurtari mban vendin e fundit, me dy pikë pas javës së tetë. Këtë mesjavë, vlonjatët presin në shtëpi Vllazninë.