E kishte marrë vesh i madh e i vogël që Vllaznia e mundte Kukësin. Sigurisht drejtuesit e verilindorëve do të ndihen të fyer, nuk pranojnë që ata tolerojnë.
OK, ndoshta nuk ndodhi kështu, por që nuk e vlerësuan ndeshjen me Vllazninë nuk mund ta mohojnë dot.
Shkodranët iu gëzuan fitores, por rastet e humbur ishin të shumta. Tifozët e paktë në stadium e kishin mendjen edhe në Kamzë, aty ku Laçi i kishte gëzuar që në minutën e parë.
Nuk munguan thirrjet “Para Laçi”, por më së shumti në Shkodër duhet t’i gëzohen faktit që Kukësi kish shkuar në Shkodër të vizitonte Rozafën.
Kurbinasit luanin për hesapin e tyre, pasi duan Evropën, por për t’u shënuar janë ato që ndodhën në stadium me tifozët.
Kishte nga ata që i kërkuan edhe Jorgjit të shënonte, pasi futbollistët e Vllaznisë nuk po ia dilnin edhe me rastet e shumta të krijuara, madje humbën edhe një penallti me Sukajn.
“O Enea, a ke mundësi të bësh gol vetë?!” apo “Enea, të lutem shëno!” ishin thirrjet drejtuar arbitrit kryesor të ndeshjes shkruan “Panorama Sport”, ndërkohë që në të përditshmen tjetër sportive, “Sport Ekspres”, raportohet se Arlind Kalaja dhe Gilman Lika kanë replikuar me tifozët në momentin që Kamza barazoi me Laçin.
Të gjithë sikur u dorëzuan në atë moment, madje edhe trajneri Ervis Kraja është ulur në stol.
Kjo situatë ka zgjatur vetëm pesë minuta, pasi kurbinasit me Xhixhën shënuan golin e fitores. Tanimë ka edhe një ndeshje për mbijetesën dhe realisht gjërat janë të ngatërruara. /EDS/