Tomori është pranë blerjes nga kompania “Mela Holding Grup”. Ditët e fundit është përfolur për blerjen e aksioneve të skuadrës që menazhohet nga bashkia Berat. Me anë të një komunikate për mediat ka reaguar dhe skuadra e Tomorit që shprehet se drejtuesit e Bashkisë janë të gatshëm për tu ulur në tavolinë me investitorë serioz që dëshirojnë të blejnë aksionet e klubit.
Deklarata e plotë:
Komunikatë për Media
Përgjatë ditëve të fundit “Futboll Klub Tomori” ka ndjekur me interes dhe kujdes, të gjitha informacionet e pasqyruara në mediat e shkruara, online apo edhe studiot televizive, në lidhje me interesimin e kompanisë “Mela Holding Grup” për të blerë 76% të aksioneve të klubit tonë.
Saktësojmë se Bashkia Berat ka qënë gjithmonë e gatshme për t’u ulur në tavolinë me investitor serioz dhe me plane konkrete, ashtu si, ka bërë dy ditë më parë, me përfaqësuesit e kompanisë në fjalë. Dëshira, interesi dhe puna e këtij institucioni do të jetë maksimal për të nisur procedurat e shitjes të aksioneve.
Njoftojmë se brënda muajit shkurt kjo çështje do të kalojë në Këshillin Bashkiak për të miratuar dhënien deri në 76% të aksioneve. Institucioni jonë do të bëjë gjithçka për të përshpejtuar procedurat, duke i hapur rrugën privatizimit të klubit. Kujtojmë që, për të gjithë ata të interesuar edhe më parë si: “Salillari Ltd” apo dhe të tjerë, se kjo procedurë do të nisë shumë shpejt dhe do të jetë një garë e hapur.
Theksojmë se Bashkia Berat gjatë këtij 4 vjeçari ka zbatuar me rigorozitet dhe korrektësi një plan të qartë në dy aspekte: larja e borxheve të akumuluara nga klubi në vitet 2010-2015 dhe atë sportive marrë parasysh se skuadra gjendej në një nga pikat më të ulta të historisë duke qënë pjesëmarrëse e Kategorisë së Dytë.
Pikërisht përgjatë kësaj periudhe falë investimeve që i janë dedikuar buxhetit të sportit dhe në veçanti atij të FK Tomorit është shlyer në total një shifër marramëndëse prej 253.5 milion lekë (të vjetër).
· OSHEE 118 milion lekë
· UKBK (Ujësjellës Kanalizime Berat) 15.5 milion lekë
· Drejtoria e Tatimeve 120 milion lekë
Si më lartë, klubi i detyrohej vetëm enteve publike një shifër të tillë me këtë shpërndarje: OSHEE-së gati 118 milion lekë (të vjetër) dhe UKBK-së plotë 15.5 milion lekë (të vjetër). Gjithashtu, përgjatë kësaj periudhe janë shlyer edhe të gjitha detyrimet e prapambetura në Drejtorinë e Tatimeve, me një shumë prej 120 milion lekë (të vjetër). Në këtë listë ka pasur edhe borxhe të tjera kundrejt bizneseve private apo emrave të përveçëm, të cilat tanimë janë bërë 0 (zero).
Në të njëjtën kohë pavarsisht larjes së borxheve të sipërmendura është bërë edhe një rikonstruksion i stadiumit “Tomori”. Ky rikonstruksion ka konsistuar në vendosjen e një tapeti të ri me bar artificial pasi ai i mëparshmi ishte bërë i papërshtatshëm për luajtjen e një ndeshje normale futbolli. Ndërkohë rikonstruksioni përfshiu edhe pjesën e ambienteve të brendshme, shkallëve dhe fasadës së jashtme duke i dhënë këtij impianti një pamje tjetër.
Në aspektin sportiv skuadra gjendej në një nga periudhat më të errëta të historisë së saj, pasi luante në Kategorinë e Dytë ndërsa dy skuadrat e moshave Tomori U17 dhe U19 në Kategorinë e Parë. Që në sezonin e parë skuadra është rikthyer në kampionatin e Kategorisë së Parë pasi e përfundoj, si kampione sezonin në Kategorinë e Dytë. Ndërsa dy sezonet pasardhëse e kemi përfunduar kampionatin në pesëshen e parë të grupit B ku edhe jemi shortuar duke qënë në garë për të njëjtin objektiv edhe në këtë sezon.
Por më shumë se kjo mund të krenohemi me punën e mirë dhe projektet serioze që kemi ndërtuar në këto sezone duke pasur gjithmonë një bazë me futbollistët beratas në skuadër dhe ndonjë prej tyre sot jo vetëm është pjesë e Tomorit por edhe skuadrave në Kategorinë Superiore.
Po ashtu, mund të rikujtojmë punën e mirë të bërë në sektorin e moshave dhe kjo e parë në dy plane. Së pari, për herë të parë skuadra e Tomori U19 luan në Kategorinë Superiore pasi sezonin e shkuar e përfundoj, si kampione e Kategorisë së Parë. Në anën tjetër gjatë kësaj periudhe janë promovuar të rinj të talentuar në ekipin e parë dhe sot i gjejmë pjesë të disa skuadrave të futbollit shqiptar, ku mund të përmendim: Hysenin, Oshafin, Zogaj, Kumani e Qengji.
I njëjti promovim i është bërë edhe trajnerëve të rinj beratas, të cilët kanë trajnuar me sukses nga skuadrat e moshave dhe deri në ekipin e parë. Aktualisht në drejtimin e Tomorit është një ndër trajnerët e brezit të ri të shkollës beratase Santiliano Dule ndërsa në skuadrën Tomori U19 është një tjetër trajner si Iken Droboniku. Por pjesë e këtyre promovimeve që janë njëkohësisht pjesë të stafeve tona drejtuese janë: Gersi Arbri dhe Klement Agalliu.
Duke patur dëshirën e mirë që klubi të vazhdoj në këtë rrugë madje edhe për tu përmirësuar më tepër për çuar Tomorin në nivelet më të larta të futbollit shqiptar bashkë me Bashkinë jemi të hapur për shitjen e aksioneve të FK Tomorit. Jemi të gatshëm për ndjekjen me shpejtësi por edhe shumë kujdes të procedurës përkatëse dhe të presim ofertat mbi blerjen e aksioneve dhe nisjen e një bashkëpunimi të ri dhe frytëdhënës me një investitor serioz, i cili synon të bëhet pronar i shumicës së aksioneve të FK Tomorit./newsport/