Vllaznia do rikthehet sërish në aktivitet ditën e hënë dhe tashmë në kuadër të kupës së Shqipërisë. Përballë do jetë Flamurtari në raundin e 1/16. Takimi që në vetvete mbart shumë histori, por që në vitet e fundit rivaliteti ka rënë për shkak se vlonjatët janë pjesë e kategorive të ulëta. Por gjithsesi sfida pritet interesante.

Ku edhe kuqezinjtë kanë shprehur ambice për të kaluar Vllazninë, por duket se statistikat e viteve të fundi favorizojnë qartazi shkodranët. Duke u nisur që nga edicioni i shkuar i kupës, ku sërish ishin përballë. Vllaznia arriti ti fitonte të dy ndeshjet me rezultatin 1-0 në Shkodër dhe 1-2 në Vlorë. Po ashtu edicioni 2019-20 i Superiores do shikonte 3 fitore të Vllaznisë dhe 1 barazim.

E po në atë sezon, dy skuadrat do ishin rivale edhe në kupë ku barazonin 2-2 në Shkodër dhe Vllaznia fitonte 0-2 në Vlorë duke u kualifikuar. Në vitin 2018, kuqeblutë do fitonin 3-0 dhe barazonin 1-1 kundër vlonjatëve. Ndërsa për të parë një fitore të kuqezinjëve duhet të kthehemi 5 vite në kohë.

Më saktë 09.12.2017, ku Flamurtari fitonte në shtëpi me rezultatin 2-0 kundër Vllaznisë. Do ishin golat e Mustes dhe Camara që do vendosnin gjithçka. E duket se çdo statistikë anon nga Vllaznia dhe duke parë edhe diferencat aktuale që kanë dy skuadrat, kualifikimi për vlonjatët duket një mision “i pamundur”.
Endri ÇINARI