Interi është vënë në kërkim të një sulmuesi. Me pasigurinë e Lukakut dhe me situatën e Lautaro Martinez që mund të sakrifikohet për një ofertë të parefuzueshme, zikaltrit kërkojnë një futbollist që të nisin një cikël të ri në repartin e avancuar.
Sytë janë drejtuar nga Markus Turam. Sulmuesi shkëlqeu në Botëror me Francën duke u treguar vendimtar me lojën e tij për “gjelat” sa herë u aktivizua nga Deshamp. Interi e monitoronte prej kohësh dhe kishte lënë takim me përfaqësuesit e tij për të diskutuar rreth një transferimi të mundshëm.
Lojtari është pjesë e Borusia Mynshengladbah por ka shprehur pëlqimin për të luajtur në Serinë A, ku ka shkëlqyer për shumë vite babai i tij, Lilian Turam.
Megjithatë, nuk do të diskutohet për transferimin në janar, por që të bllokohet që tani një transferim në muajin qershor, për të patur ide të qarta për të ardhmen nga të dy palët.