Uest Hemi është rivali i sotëm i Arsenalit dhe trajneri Mikel Areta i bën thirrje për kujdes lojtarëve të tij në derbin e “Boxing Day”, të cilin trajneri spanjoll e parashikon si një sfidë shumë të rrezikshme. Ai u ka bërë thirrje lojtarëve që ta nisin atje ku e lanë në nëntor.
“Topçinjtë” kryesojnë +5 dhe mund ta thellojnë avantazhin ndaj Mançester Sitit, duke qenë se kampionët luajnë të mërkurën ndaj Lidsit: “Duhet ta nisim atje ku e lamë. Uest Hemi është shumë i rrezikshëm. Unë e di që Mojes ka punuar me skuadrën shumë fort që kur mori drejtimin e saj. Ai ka maksimizuar potencialin e skuadrës dhe i ka dërguar në një tjetër nivel. Jam i sigurt se ata kanë punuar shumë fort ashtu siç kemi bërë ne të gjithë gjatë kësaj periudhe. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Ajo që më ka befasuar këto 14 javë të para është niveli dhe vazhdimësia që ka treguar skuadra. Kemi treguar maturi, veçanërisht në ndeshje të mëdha”.
STATISTIKAT – Arsenali ka humbur vetëm 2 nga 28 ndeshjet e fundit të Premier Ligës kundër Uest Hemit (21 fitore, 5 barazime).
Skuadra e Mojesit ka humbur 11 nga 12 ndeshjet e fundit të Premier Ligës në transferët kundër “Topçinjve”, me përjashtim të fitores 2-0 në javën e parë të sezonit 2015-‘16.
Ky do të jetë takimi i tretë mes këtyre dy ekipeve në “Boxing Day”. Arsenali i ka fituar dy të parët: 1-0 në shtëpi në 1998-ën dhe e 3-1 në transfertë në 2013-ën.
Arsenali ka fituar 10 ndeshje të “Boxing Day” radhazi në shtëpi dhe nuk mposhten në 13 prej tyre, që prej humbjes me Notingem Forestin në 1987-ën. Ata kryesojnë Premier Ligën ditën e Krishtlindjes për herë të parë që prej vitit 2007.
Megjithatë, ata kanë dështuar të shpallen kampionë në secilën prej pesë rasteve të fundit që kjo ka ndodhur. E vetmja skuadër që ka pasur një avantazh me të paktën 5 pikë në ditën e Krishtlindjes dhe nuk është shpallur kampione, është Njukasëlli në sezonin 1995-‘96.