“Ata që e bënë këtë Vllazni për të folur të gjithë Shqipërinë për të, duhet ta nxjerrin sërish nga situata ku ndodhet dhe ta çojnë aty ku duhet”. I këtij mendimi është shprehur Armando Cungu i cili ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa teksa është shprehur:

“Ato djem që kanë qenë baza e ekipit, ata që e sollën Vllazninë deri në këtë pikë, duhet të mendojnë që ne jemi këtu. Barra është mbi ne dhe duhet ta marrim ne këtë përgjegjësi për të vazhduar përpara.

I kanë të gjitha mundësitë për ta bërë diçka të tillë, pavarësisht se në këto javët e fundit po shohim një Partizan dhe një Laç më të freskët, më të harmonizuar, më me alternativa dhe që kanë një ritëm tjetër e këtë duhet ta pranojmë.

Ashtu siç duhet të pranojmë se edhe Vllaznia kishte krejt ritëm tjetër nga këto ekipe deri para pak javësh. Kjo është këshilla ime për futbollistët kuqeblu.

Ata duhet të luajnë jo vetëm për skuadrën, fanellën, qytetin dhe tifozët, por edhe për veten e tyre. Nëse sot kontrata e tyre është “x” lekë, nëse i bëjnë mbylljen e duhur kampionatit, vlera e tyre do të rritet disa herë. Do kenë oferta në adresë të tyre dhe një të ardhme më të mirë.

Do të kenë shansin e madh ndoshta të vënë medaljen e kampionit në gjoks, gjë që ndoshta nuk do të kenë mundësinë ta bëjnë më në karrierën e tyre. Prandaj, ata duhet t’i marrin vetë frenat në dorë dhe të rikthejnë atë Vllazni që pamë deri para pak javësh dhe këtë duhet ta bëjnë që në Durrës të mërkurën”./SHKODRA-SPORT.COM/