Ndriçim Shtubina vari “këpucët në gozhdë” si pjesë e Egnatias së Rrogozhinës dy vite më parë, ndërsa nisi aventurën e trajningut, duke qenë zv.trajner në ekipin e zemrës, Vllaznia.

Mirëpo, tashmë ai ka marrë detyrën e koordinatorit teknik në akademinë e klubit shkodran. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi flet në prag të duelit Vllaznia-Tirana, ndërsa ka edhe një këshillë për të rinjtë.


Shtubina, rikthehet kampionati shqiptar. Kishte ndonjë surprizë për ju në javën e parë?

Për mua nuk kishte surpriza në javën e parë. Mendoj se çdo skuadër i meritoi pikët që mori.


Ekipet shqiptare thuajse dështuan në Europë. Pse kjo rënie e nivelit, kur në fakt deri para pak vitesh nuk diskutohej kalimi i një turi kualifikues?

Skuadrat tona kishin shumë mundësi për të avancuar në Kupat e Europës këtë edicion. Këtë e them duke parë edhe kundërshtarët që kishin përballë, që realisht nuk ishin i ndonjë niveli të lartë. Mendoj se vetëm nënvlerësimi dhe marrja lehtë e ndeshjeve ka ndëshkuar ekipet tona këtë edicion.

Ndalemi pak tek Vllaznia. Fitoi kundër Partizanit, por jo me një lojë bindëse apo është vetëm fillimi dhe skuadra nuk është ende në 100 %?

Vllaznia e ka nisur shumë mirë kampionatin, duke marrë një trepikësh me vlera. Jam i sigurt që Vllaznia do të rritet në lojë dhe ka mundësi për të ecur në kampionat. Ekipi vjen pas një gjendjeje jo të mirë psikologjike, pasi ndikoi eliminimi në Europë. Unë kam besim se javë pas jave do të vijë në rritje.


Ishte merkato e duhura për Vllazninë, mos ndoshta duhet të kërkojë skuadra sërish përforcime?

Mendoj se skuadra është e kompletuar në të gjitha repartet. Ndoshta mund të afrohet një sulmues që të jetë në dyshe me Balajn, pasi kampionati është i gjatë, ku ka lodhje dhe dëmtime.

E diela sjell “klasiken” Vllazna-Tirana. Si e parashikoni këtë duel, ku keni qenë vetë protagonist në të shkuarën?

Gjithmonë ka qenë një ndeshje shumë e fortë dhe e bukur me Tiranën. Tifozët duan gjithmonë fitoren në këtë duel dhe prandaj duhet përqendrim dhe vlerësim maksimal. Unë kam shënuar kundër Tiranës dhe kemi fituar ndeshjen. Edhe pse mund të kem luajtur dobët, tifozët më thonin: “s’ka problem, sepse munde Tiranën dhe shënove”. (qesh).


Tashmë jeni pjesë e akademisë Vllaznia në rolin e drejtuesit. Duhet të kemi besim tek djemtë e rinj?

Shkodra gjithmonë ka pasur elementë që i kanë dhënë shumë futbollit tonë. Por këta djem duhet të kenë infrastrukturën dhe kushtet e duhura për t’u zhvilluar më tepër. Pavarësisht se ka shumë elementë që spikasin edhe me kushtet që kemi apo ka futbolli shqiptar. Një këshillë do kisha për elementin e ri, që të dëgjojnë trajnerët dhe drejtuesit, e sa më pak prindërit përsa i përket pjesës së futbollit.

Kemi ndonjë emër që premton për të ardhmen e Vllaznisë apo në përgjithësi futbollit shqiptar?

Po, ka disa emra që premtojnë shumë. Unë nuk mund të shprehem me emra të përveçëm, sepse çdo futbollist duhet të punojë fort për t’u rritur çdo ditë.