Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak Shkodër, një nga pikat e rendit të ditës ka qenë edhe dhënia e disa titujve të lartë për figura të ndryshme që kanë punuar në vite për lartësimin e emrit të këtij qyteti në fusha të ndryshme të jetës. Ndër to, kanë qenë edhe pesë figura të sportit dhe pikërisht tre të fushës së arbitrimit dhe dy të gazetarisë sportive. Propozimi i kolegjiumit të arbitrave të futbollit të Shkodrës për nderimin me titullin e lartë sportiv “Loro Boriçi” të Bakir Dibrës, Mhill Shkëmbit, Adem Halilit, Gaspër Markut dhe Gjergj Kolës, ka gjetur miratimin e menjëhershëm të të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak Shkodër, tek të cilët nuk ka patur asnjë kundërshtim për figurat e paraqitura.
Kështu, Bakir Dibra është nderuar pas vdekjes për kontributin e tij të dhënë në vitet 1951-1975 në fushën e gjykimit duke u dalluar si një arbitër me cilësi të veçanta. Ai ka qenë një model në fushën e arbitrimit teksa më pas ka punuar edhe si vëzhgues i FSHF-së. Ka qenë fitues edhe i çmimit të lartë sportiv në arbitrim “Luigj Shala”. Një tjetër i nderuar ka qenë arbitri Mhill Shkëmbi. Karriera e tij e nisur në vitin 1973 dhe e përfunduar në vitin 2003, ka qenë shumë e suksesshme, ndërkohë që më pas ka punuar dhe vazhdon të punojë si vëzhgues i Federatës. Ka drejtuar për vite me rradhë Kolegjiumin e Arbitrave të Futbollit të Shkodrës ndërkohë që është kryetar i shoqatës sportive “Luigj Shala”, ideues dhe themelues i çmimit kombëtar me të njëjtin emër dhe njëkohësisht edhe fitues i tij. I nderuar i tretë nga fusha e arbitrimit në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak ka qenë Adem Halili (pas vdekjes). Ai ka arbitruar me shumë sukses në vitet 1962- 1979. Një arbitër model, pjestar i një familje me tradita sportive duke përfituar shumë nga i ati- Muhameti, edhe ai arbitër në vitet ’30. Përveç tre të nderuar nga fusha e arbitrimit, sot Këshilli Bashkiak Shkodër u ka dhënë titullin e lartë sportiv “Loro Boriçi” edhe dy gazetarëve sportivë. Së pari, Gasper Markut i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në gazetarinë sportive që nga tetori i vitit 1979 kur ka botuar shkrimin e parë në gazetën “Sporti Popullor” dhe deri më sot. Gjatë këtyre viteve ai ka bashkëpunuar edhe me shumë organe të tjera shtypi, si atij të shkruar po ashtu edhe atij viziv. Ai më parë ka marrë edhe çmimin e publicistikës sportive “Anton Mazreku” dhe të tjera nderime për karrierën e shkëlqyer si gazetar. Bashkë me të është nderuar me këtë çmim edhe Gjergj Kola, i cili nisi karrierën si gazetar në vitin 1994 dhe vazhdon plot pasion ta kryejë atë edhe sot e kësaj dite. Gjatë këtyre 21 viteve ka punuar në shumë gazeta sportive, radio dhe televione lokale, ndërkohë prej disa vitesh ka dhënë një kontribut të madh edhe tek klubi shumësportësh dhe ai i futbollit Vllaznia në rolin e arkivistit dhe zëdhënësit duke i kushtuar shuëm rëndësi hartimit të historisë së sportit shkodran.
Nderimi i këtyre pesë figurave në mbledhjen e parafundit të mandatit të këtij Këshilli Bashkiak, është një tjetër tregues se anëtarët e tij kanë vlerësuar dhe vazhdojnë të vlerësojnë njerëzit që e kanë nderuar këtë qytet në fusha të ndryshme të jetës.
© shkodrasport.com