Të gjithë anëtarët e këshillit, përveç detyrës si përcaktues të buxhetit për futbollin dhe sportet e tjera të Shkodrës, kanë marrë dhe detyrën e ekspertit, duke dhënë mend se si do të luajë skuadra. Që nga koha që Vllaznia ka kaluar në pronësi të Bashkisë së Shkodrës, teksa president është kryebashkiaku Lorenc Luka, këshilli bashkiak është kthyer në një “ekspertizë e futbollit”. Sigurisht që në Shkodër futbollin e kanë “fe`” dhe kur vjen puna për të diskutuar janë të gjithë të aftë për të thënë çfarë shkon e çfarë nuk shkon. Por kur anëtarët e Këshillit Bashkiak të Shkodrës janë kthyer në ekspertë të mërzitshëm, atëherë këtu nuk i shërbehet më Vllaznisë. Këta anëtarë, dëgjohet shpeshherë të thonë nëse “duhet luajtur me 3 sulmues, apo me katër mbrojtësa”, “ky lojtar nuk ishte në pozicionin e tij”, apo “trajneri këtu veproi gabim”, e të tjera si këto, deri dhe “ta heqim apo ta vëmë trajnerin”. Në fakt, Këshilli Bashkiak është ai që vendos edhe për buxhetin e futbollit, por kurrë nuk mund të hyjë në detaje teknike, të cilat janë në dorën e trajnerit. Aq më tepër që tekniku ka një staf të tijin, sipër tyre një drejtor teknik, një shef klubi dhe president. Janë shumë hallka që teknikisht, në të mirë të skuadrës së futbollit të Vllaznisë, diskutojnë se si është e mira dhe si duhet të veprojnë në fushën e lojës. Aq më shumë që tifozeria shkodrane është shumë më e ndjeshme se anëtarët e Këshillit Bashkiak, që gabimisht dhe në dëm të Vllaznisë janë kthyer në ekspertë të futbollit. Kështu që në këtë situatë ata nuk bëjnë gjë tjetër, veçse i bëjnë dëm skuadrës në tërësinë e saj, e cila deri më tani nuk ka qenë bindëse në shtëpi, por e tillë ka qenë në transfertë. Që do të thotë se në Shkodër, skuadra është nën presion dhe prej këtyre anëtarëve të këshillit bashkiak, nuk jep atë që duhet në fushën e lojës. Ndoshta Vllaznia ka ndryshuar me fitoren në Ballsh dhe për sa kohë kjo skuadër të fitojë, atëherë dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak do të mund të heshtin. Dhe skuadra do të shpëtojë nga “ekspertët” e futbollit.
*Artikulli është botuar sot në gazetën “Sport Ekspres”