Pasditen e sotme ka nisur zyrtarisht punën struktura më e re e klubit të futbollit Vllaznia, “Këshilli I Trajnerëve”. Në zyrat e klubit, drejtori sportiv Armir Grima ka pritur pesë nga anëtarët e tij Ramazan Rragamin, Nikoll Gjergjin, Ismet Hoxhën, Taip Piraniqin dhe Astrit Premçin ndërsa për arsye personale mësohet të ketë munguar anëtari tjetër- Esat Rakiqi. Drejtori Grima nga sa bëhet e ditur, ka falenderuar personalitetet e futbollit shkodran e shqiptar që pranuan të jenë pjesë e “Këshillit të Trajnerëve”. Sipas tij, ky Këshill nuk do të jetë sa për emër, por do të analizojë dhe të japë propozime konkrete për çështje në interes të Vllaznisë. Po ashtu, ai ka bërë të ditur se ky Këshil ka mbështetjen e drejtpërdrejtë edhe të kryebashkiakut Lorenc Luka,  president i Vllaznisë. është thënë njëkohësisht se ky Këshill Brenda pak ditësh do mblidhet sërish për të analizuar kandidaturat për trajner të ekipit të parë të Vllaznisë. Ndërkohë nga ana e specialistëve është shprehur vlerësimi maksimal për idenë e ngritjes së këtij Këshilli. Natyrisht, ata do të japim opinionet e tyre profesionale në lidhje me trajnerin, merkaton e çështje të tjera, por vendimet do t’i marrin instancat e KF Vllaznia sh.a. Në këtë mënyrë, ka nisur zyrtarisht punë “Këshilli i Trajnerëve” të Vllaznisë. Ai do të ketë një rregullore të funksionimit si dhe do të mbahet një protokoll i rregullt për çdo mbledhje, për çdo propozim apo detyrë që do të lihet për zbatim.