Një tjetër këshilltar bashkiak i qytetit të Shkodrës, Arben Lusha, ka shprehur rezervat për funksionimin e mëtejshëm të klubit Vllaznia. Ai në deklarimin e tij ka vënë disa pika dyshime mbi atë çka mund të ngjasë pas kalimit të klubit në përdorim të bashkisë: “Për sa i përket kalimit të klubit në përdorim, mendoj se është pozitive për skuadrën. Administrimi nga ana e bashkisë la shumë për të dëshiruar. Të themi që dështoi, kjo kuptohet vetëm nga merkatoja e bërë. Është një listë e gjatë futbollistësh, të cilët marrin shuma marramendëse për një sezon, ndërsa asnjëri prej tyre nuk e ka justifikuar me punë. Mund t’ju them vetëm disa prej emrave, të cilat edhe nga drejtuesit janë bërë shumë problematike, si Osmani, Hysa, Begaj. Nisur nga këto, mund të bëj një pyetje: kush ka mbajtur dhe kush do të mbajë përgjegjësinë për këto lekë të taksapaguesve tanë që shkojnë dëm? Deri tani askush nuk është lëvizur nga puna. Kalimi i klubit është pozitiv, por do të pyesja përsëri: sa garantojnë emrat e biznesmenëve, apo qoftë Agron Çela se do kapin Europën? Sa garanton z.Çela se do t’i zbatojë deri më një kontratat e lojtarëve? Një pikë që duhet të na shqetësojë pasi, nëse ai largohet pa bërë pagesat, atëherë përsëri si në rastin Lici, kostoja do të jetë sërish e jona”.
Admir Uruçi