Humbja me Teutën në frymën e fundit i ka kushtuar stolin 39-vjeçarit durrsak, Edlir Tetova, ndërsa trajneri i ri i Egnatias është emëruar Shpëtim Duro.
Vendimi është marrë në një kohë të shpejtë pas ndeshjes me durrsakët, teksa “Panorama Sport” publikoi gjithçka të shtunën në faqen zyrtare në internet “panoramasport.al”.
Fillimisht presidenti Agim Demrozi ka ndarë gjërat me Tetovën pas një bisede që kanë pasur rreth tri orë pas përfundimit të takimit.
Më pas ka mjaftuar një telefonatë e kreut të klubit me Duron, për të mbyllur zyrtarisht marrëveshjen në paraditen e së dielës. Prezantimi zyrtar i 62-vjeçarit do të bëhet sot në Rrogozhinë, teksa Duro do të bëjë debutimin tek Egnatia ndaj ish-ekipit të tij, Kukësit, të premten.
I ftuar dje në mbrëmje në emisionin “Sport News” në televizionin “News 24”, drejtuar nga Trevisa Tufa, trajneri tregoi pse e bindi kjo ofertë. “Nuk ishte e vështirë të pranoja këtë ofertë.
Egnatia dihet tashmë se çfarë skuadre ka. Europa? Nuk ma kanë kërkuar, por objektivat i kanë paraqitur në fillim të kampionatit.
Unë do të bëj punën time, do të jap maksimumin për të shpërblyer besimin e dhënë. Në Rrogozhinë gjej lojtarë që i kam stërvitur më parë. Është mirë kur ke një grup lojtarësh që i njeh”.
REAGIMI I TETOVËS
Por çfarë ndodhi në orët pas ndeshjes Egnatia-Teuta në kampin rrogozhinas.
“Panorama Sport” zbulon se fillimisht presidenti i rrogozhinasve, Demrozi, kritikoi si kurrë më parë lojtarët në dhomat e zhveshjes, duke iu kujtuar se korrektësia e tij nuk është justifikuar aspak me rezultate në fushë.
“Çfarë bëhet kështu?! Çfarë është kjo humbje?! Unë jam 100% korrekt me ju dhe nuk u mungon asgjë, ndërsa ju bëni të tilla paraqitje të papranueshme?!”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera presidenti në dhomat e zhveshjes para ekipit, në një kohë që në mendjen e tij ishte krijuar bindja se Tetova do të shkarkohej.
I kontaktuar dje nga gazeta për të marrë një reagim lidhur me shkarkimin nga Egnatia, Tetova ka evituar polemikat, ndërsa ka hedhur poshtë interpretimet që u janë bërë në mediat sociale reagimeve të tij pas ndeshjes me Teutën.
“Futbolli është i bukur, i tmerrshëm dhe i çmendur, kështu që duhet t’i pranojmë të gjitha verdiktet. Jam krenar që kam drejtuar një ekip me lojtarë cilësorë dhe dua të hedh poshtë aludimet se mes meje dhe djemve ka ndodhur diçka. Për sa i përket largimit, është vetëm për mungesë rezultatesh, edhe pse ende nuk ka mbaruar faza e parë.
Objektivi i klubit këtë sezon është pjesëmarrja në Kupat e Europës, edhe pse është herët për të folur. Personalisht nuk jam i zhgënjyer për lojën dhe angazhimin e futbollistëve në gjithë këtë periudhë që drejtoj skuadrën.
Vuajtja më e madhe është shënimi i golit, por ama te kjo pjesë trajneri dorëzohet, pasi nuk mundem të shënoj unë gol. Ju e keni parë vetë se sa shumë raste krijojmë.
I uroj suksese ekipit, pasi i ka të gjitha mundësitë për të bërë mirë”, ka thënë Tetova. Ai ka sqaruar edhe një foto që ka publikuar në rrjetet sociale, e cila është komentuar sikur ka qenë kundër “veteranëve” në ekip.
“Për të sqaruar atë foto që kam publikuar, ku një e moshuar i bie topit, kam dashur të them se këtu del në pension pa filluar punë akoma. Nuk kam asgjë me lojtarët e mi, e thashë edhe më lart, që jam i kënaqur nga loja dhe angazhimi i tyre”, përfundoi Tetova.