Kevin Dodaj është një nga zbulimet jo vetëm të Vllaznisë këtë sezon, por për gjithë kampionatin.Sulmuesi 19- vjeçar ka ditur të jetë protagonist dhe madje të tërheqë edhe vëmendjen e klubeve dhe ligave të njohura europiane. Në një intervistë për “Panorama Sport”, autori i 5 golave deri më tani ka folur për suksesin e fundit ndaj Bylisit në shifrat 3-0.

Dodaj, një fitore e merituar përballë Bylisit, apo jo?

Jemi të gëzuar për këtë sukses të fundit, pasi tregon që ekipi po ecën në një ritëm shumë të mirë. Kemi 4 fitore në 5 ndeshjet e fundit në kampionat e po ashtu duke llogaritur edhe ndeshjet e Kupës, tregon për formën pozitive që po kalojmë. Uroj dhe besoj se do të ecim në këtë ritëm edhe në javët dhe ndeshjet e ardhshme.

Në fundjavë kundër Dinamos, ku me ta e keni hapur llogarinë e golave në Superiore. Shënon sërish Dodaj?

Është një ndeshje ku kemi një motivim maksimal, sepse na kanë mposhtur dy herë këtë sezon. Ekipi patjetër futet në fushë për të arritur fitoren dhe vijojmë me formën pozitive. E po ashtu edhe unë dëshiroj të shënoj dhe të ndihmoj skuadrën. Shpresoj që t’i arrijmë të dyja kundër Dinamos.