Nga Maringlen ZHIVANI
Dje e nisi nga stoli por u fut shpejt në fushë pas dëmtimit të Qatos dhe sërish la gjurmë. Arriti të shënonte golin e barazimit, që ktheu qetësinë tek Vllaznia dhe njëkohësisht u dha besimin shokëve të ekipit për t’i përmbysur shifrat me golin e Çobës më pas. Kevin Dodaj këtë herë ka shënuar me kokë, por e rëndësishme për të është që topi të përfundojë në rrjetë.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shkodra Sport”, sulmuesi 19 vjeçar i Vllaznisë ndër të tjera është shprehur se rivaliteti që skuadra ka në repartin e sulmit shërben për mirë. Njëkohësisht ai ka edhe një dedikim special për golin e djeshëm. Për më shumë, lexoni më poshtë intervistën e tij dhënë për gazetën tonë:
– Dodaj, shënuat ndaj Elbasanit, i kënaqur patjetër besoj apo jo?
Po, i kënaqur për golin ndaj Elbasanit. Vinim pas një ndeshje jo të mirë, siç ishte ajo ndaj Dinamos që mbetëm të gjithë të pakënaqur si me rezultatin dhe me lojën, por për ndeshjen ndaj Elbasanit jam shumë i kënaqur për golin dhe më tepër i kënaqur për fitoren e ekipit.
– Ju motivon ky gol për ndeshjet e ardhshme për të shënuar të tjerë?
Po, është një motiv që të rritem më shumë si futbollist dhe të shënoj sërish gola të tjerë në vazhdim. Kam patur edhe mbështetjen e gjithë ekipit gjatë gjithë kësaj kohe dhe ndihem shumë i kënaqur për këtë.
– Çfarë ndodh te Vllaznia, ka disa momente kur duket që skuadra çalon në disa aspekte gjatë lojës?
Janë momente që çdo ekipi mund t’i ndodhin, por më e rëndësishmja është që ta kalojmë shpejt, të rritemi si futbollistë dhe të japim maksimumin për këtë fanellë.
– Po kaloni një formë të shkëlqyer, por a kërkon sërish Dodaj më shumë nga vetja e tij?
Normalisht që kërkoj të bëj akoma më mirë. Unë gjithmonë do mundohem të bëj maksimumin tim për ekipin e Vllaznisë. Unë do ul kokën të punoj dhe paraqitjet e mia do i tregoj në fushë me gola dhe performanca të mira.
– Shumë rivalitet për krahët e sulmit, si e shikon Dodaj?
Po, rivaliteti është i lartë, por nga ana tjetër është shumë i mirë, pasi na ndihmon të rritemi të gjithëve si futbollistë. Ne shkojmë të gjithë mirë me njëri-tjetrin, kemi harmoni dhe e rrespektojmë gjithmonë njëri-tjetrin.
– Keni një dedikim për golin ndaj Elbasanit?
Ky gol është për babain tim që ka qenë mbështetja më e madhe e imja që nga fillimet e mia, por edhe për ekipin dhe tifozët e Vllaznisë.