Qarkullonte prej kohësh lajmi se Kevin Haveri do ishte shumë shpejt pjesë e Torinos. Tashmë gjithçka duket se ka marrë formën zyrtare dhe djaloshi shkodran do jetë pjesë e gjigandëve torinezë. Një lajm i tillë është konfirmuar edhe në faqen e gazetarit të njohur, Gianluca DiMarzio.

Eksperti i njohur i merkatos italiane të futbollit, konfirmon se lojtari do lërë Riminin në janar dhe do i bashkohet “demave”. Një lëvizje me të vërtetë e bujshme kjo e 21-vjeçarit që tashmë bën hapin e madh në karrierë. Mëngjërashi aktivizohet si mbrojtës i majtë prej 2 sezonesh tek Rimini, ku ka spikatur me lojën e tij dhe me forcën fizike.

Cilësi që kanë rënë në sy të drejtuesve të Torinos, që janë bindur nga lojtari i formuar në akademinë Ajaks. Patjetër që Serie A është një nga tregjet më të rëndësishme të futbollistëve në Botë dhe ku luajnë disa nga më të mirët e këtij sporti. Tashmë Haverit i duhet të tregojë pikërisht cilësitë në një kampionat dhe skuadër të madhe si Torino.

Në janar zyrtarisht do fillojë edhe historia dhe karriera e Kevin Haverit me Torinon. Ekip ku në të shkuarën janë aktivizuar edhe lojtarë të tjerë shqiptarë si: Berisha, Basha apo aktualisht edhe Ujkani e Vojvoda.
Endri ÇINARI