Do të startojë këtë fundjavë kampionati i kategorisë së tretë dhe një nga ekipet surprizë pritet të jetë ai i KF Shiroka, i cili do ta startojë atë me statusin e një pretendenti. Të paktën kështu pretendojnë drejtuesit e tij të cilët kanë punuar jo pak për të ndërtuar një ekip me lojtarë cilësorë.
Ndeshja e hapjes për KF Shirokën do të jetë ajo ndaj “Partizani B” e cila do të luhet ditën e shtunë në ora 14:00 në stadiumin “Arena e Demave” dhe padyshim që objektivi do të jetë fitorja, për më tepër ndaj një ekipi konkurrent.
Por duhet thënë se në këtë ndeshje, mbase edhe ndonjë tjetër pas saj, ekipi do të jetë i detyruar të bëjë pa kapitenin e tij, Oltion Drabeja. Kjo sepse ai do të udhëtojë nesër drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për arsye familjare sepse pret që së shpejti të bëhet baba.
Një mungesë e justifikuar, pavarësisht keqardhjes që nuk do të jetë bashkë me ekipin në këtë start-kampionati, por Drabeja është i bindur se shokët do ia dalin ta nisin mbarë me një fitore. Ai njëkohësisht ka premtuar se do të rikthehet pas një kohe të shkurtër nga SHBA për t’iu bashkuar sërish ekipit.
Oltion Drabeja është një futbollist me shumë përvojë dhe konsiderohet një nga pikat më të forta të KF Shiroka. Mbrojtësi i majtë vjet kontribuoi për ngjitjen e Basanias nga kategoria e tretë në të dytën dhe të njëjtën gjë shpreson të bëjë edhe me ekipin e tij të ri që do të kërkojë ta nisë me fitore kampionatin këtë të shtunë ndaj “Partizanit B”./www.shkodrasport.com/