Nga Endri ÇINARI

KF Shiroka ka zyrtarizuar ditën e djeshme ndryshimet në stolin e skuadrës. Kështu në rradhët e ekipit shkodran tashmë është afruar një trajner nga Argjentina, Matias Tatangelo. Që në bazë të CV-s së tij tregon për një drejtues pankine me eksperiencë. Dhe që pritet të sjellë një qasje të re në ekipin e krijuar vetëm para 6 muajsh dhe që për herë të parë merr pjesë në Kategorinë e Tretë në Shqipëri.

Kjo lëvizje tregon qartazi ambiciet e drejtueseve të klubit Shiroka për tu ngjitur në Kategorinë e Dytë në sezonin e ardhshëm. Por afrimet nga sa mëson gazeta “Shkodra Sport” nuk do ndalen vetëm me trajnerin argjentinas. Kjo pasi skuadra do përforcohet me elementë të huaj sërish, por edhe futbollistë vendas të konfirmuar, të cilët më parë kanë luajtur edhe në nivele të larta.

Gjithashtu Shiroka duket se synon të ndërtojë një ekip me bazë edhe për të ardhmen. Klubi po punon për të ndërtuar një fushë dhe një mini stadium për ekipin. Që do sillte më lehtësi për zhvillimin e seancave stërvitore dhe ndeshjeve. Ku aktualisht skuadra i zhvillon duelet e saj në Shkodër, në fushën sportive “Reshit Rusi”. E patjetër që zhvillimi i një infrastrukture do sillte një të ardhme më të ndritur për ekipin.

Aktualisht Shiroka ndodhet në vendin e tretë në kampionatin e Kategorisë së Tretë. Ku pas 7 ndeshjesh ka grumbulluar 13 pikë, 2 më pak se Eagles i vendit të parë dhe 1 më pak se Partizani B i vendit të dytë. Me ekipin bardheblu që i pret të dy ekipet në fazën e dytë në Shkodër, ku optimizimi është i madh për t’i kaluar me sukses dhe synuar vendin e parë. Pozicion që më pas të dërgon automatikisht në Kategorinë e Dytë në fundin e edicionit./www.shkodrasport.com/