Pas fitores në javën e parë ndaj Partizanit, KF Shkodra U17 ka marrë një tjetër fitore në kampionat. Në kuadrin e javës së dytë të tij, ajo ka mundur me rezultatin 2-0 ekipin e Shkëndisë së Durrësit, në takimin e luajtur në fushën e kompleksit “Gardenland Resort”.
Takimi ka nisur me gol sepse që në minutën e 3-të ka qenë Kacokaj ai që ka zhbllokuar rezultatin ndërkohë që në minutën e 24-të do të ishte Shabaj që do të shënonte edhe të dytin në portën durrsake.
Me një epërsi të tillë të krijuar që në minutat e para të ndeshjes, KF Shkodra U17 e ka administruar si duhet lojën dhe rezultatin duke mos e vënë asnjëherë në dyshim fitoren në këtë përballje të vlefshme për javën e dytë të kampionatit.
Në këtë mënyrë pas dy ndeshjesh të luajtura, ekipi shkodran me 6 pikë të plota kryeson i vetëm renditjen e kampionatit, një tregues ky se edhe sivjet ai do të jetë në mes ekipeve pretendente për titullin kampion./SHKODRA-SPORT.COM/