Shkrimet e diteve te fundit dhe menyra si po trajtohet prej saj ngjarja e se shtunes ne ndeshjen Tirana- Vllaznia, ka bere qe ekipi i futbollit te femrave te Vllaznise te reagoje duke e cilesuar gjithçka si dashakeqese nga ana e gazetes “Panorama Sport”, te cilen nga sot e tutje e ka shpallur “non grata” per futbollin shkodran dhe u ka bere thirrje te gjithe dashamiresve te klubit kuqeblu ta bojkotojne kete medie. Nje gje te tille e ka bere permes nje reagimi te saposhperndare ne faqen e tij zyrtare:

REAGIM

Duke marrë shkas nga gjithçka ka bërë ditët e fundit dhe jo vetëm, kundër ekipit tonë dhe futbollit shkodran në përgjithësi, Klubi i Futbollit të Femrave Vllaznia është i detyruar të dalë me këtë reagim në lidhje me një organ mediatik siç është gazeta “Panorama Sport”. Në vend që misioni i saj të jetë ai i duhuri, i promovimit të vlerave pozitive e njerëzore, ajo merret më shumë me promovimin dhe zmadhimin e ngjarjeve dhe fenomeneve që mund të ndodhin.

Klubi ynë ka qenë gjithmonë i hapur për bashkëpunim me ato media që e pasqyrojnë sportin, por gazeta në fjalë për të disatën herë e ka tepruar me sjelljen e saj. Nuk është hera e parë që ajo shpreh dashakeqësinë ndaj të gjithë ekipeve të Vllaznisë, megjithatë ne duam t’i referohemi vetëm ngjarjes së fundit, asaj të ndodhur ditën e shtunë në ndeshjen ndaj Tiranës.

Sigurisht që edhe ne si klub e kemi dënuar atë çfarë ka ndodhur, por kurrsesi një media nuk mund të nxjerrë fajtore pa asnjë provë, fakt apo argument ekipin tonë. Vllaznia ka qenë thjesht udhëtuese në këtë takim dhe synimi i saj ka qenë zhvillimi i një ndeshje normale futbolli dhe asgjë më shumë sepse me skemën e re të kampionatit, “Final Four”, rezultati i këtij takimi nuk ka asnjë rëndësi për ne sepse duam apo nuk duam jemi në katërshe, pavarësisht çdo rezultati. Dhe në vend që si media (meqenëse asnjë gazetar i saj nuk ka qenë i pranishëm) të hulumtojë dhe të pasqyrojë shkaktarët e vërtetë të asaj dhune, bën fajtore Vllazninë e cila e ka pësuar prej saj. Ne e kemi të qartë se kjo media nuk e ka dashur asnjëherë emrin e Vllaznisë, emër që duket se nuk i pëlqen, pavarësisht historisë dhe kontributit të saj në sportin shqiptar.

Jo vetëm kaq. Media në fjalë po merret gjerësisht duke e përfshirë në ngjarjen e së shtunës edhe lojtaren- simbol të futbollit të femrave në vendin tonë, Megi Doçin. Ajo jo vetëm që nuk ka dhunuar askënd, por është ndjerë e dhunuar që nga fillimi i kësaj ndeshje dhe deri në momentin e përfundimit të sherrit. Pikërisht nga futbollistet dhe drejtuesit e Tiranës, ashtu siç kanë bërë edhe sezonin e kaluar, e bashkë me ta edhe ndonjë ekip tjetër aleat i Tiranës, vetëm e vetëm që ajo të mos arrijë të shfaqë at0 vlera dhe atë talent që Zoti i ka dhuruar.

Megi Doçi është një lojtare model, e drejtëpërdrejtë, me mediat, drejtuesat, kundërshtarët dhe çdokënd, është një simbol i drejtësisë në sport dhe kurrsesi nuk mund të jetë ashtu siç duan ta pasqyrojnë në faqet e kësaj medie.
Pikërisht për këto arsye, KFF Vllaznia u bën thirrje të gjithë sportdashësve shkodranë ta bojkotojnë këtë media e cila ka qenë gjithmonë kundër nesh e kundër futbollit shkodran në tërësi. Një media që veç promovon probleme dhe njëkohësisht i zmadhon ato, thjesht për të njollosur gjithçka.

KFF Vllaznia i bën thirrje botuesit dhe drejtuesve të kësaj gazete, të mos e marrin nëpër gojë emrin e ekipit tonë, as për mirë dhe as për keq. Jemi krijuar dhe i kemi arritur të gjithë këto suksese deri tani, pa marrë asnjë meritë dhe asgjë prej kësaj medie dhe prandaj nga ky moment e tutje, duhet që të mos shkruajnë asgjë për ne. Në rast të kundërt, ju sigurojmë që do të ndjekim çdo rrugë ligjore për të ndjekur të drejtën tonë. Gazeta “Panorama Sport” nga sot e tutje do të jetë “non grata” për Klubin e Futbollit të Femrave Vllaznia dhe futbollin shkodran në tërësi.
KFF VLLAZNIA