Një javë pas fitores në Dortmund, skuadra e Bajernit kërkon të ruajë formën e mirë në kampionat. Ndaj Maincit, tri pikët janë një detyrim për skuadrën bavareze e cila po kalon një moment të mirë në fushën e lojës. Trajneri i kampionëve tha në konferencën për shtyp se nuk lejohet asnjë hap fals në ndeshjet e mbetura të 2021- shit.
I trembeni formës së mirë të Maincit?
Mainc ka bërë ndeshje të mira në këto 14 javë. Gjithmonë ka qenë e vështirë ndaj tyre. Ata janë rritur shumë. Kanë një mbrojtje të mirë dhe kompakte, do të jetë një sfidë më vete për të depërtuar në zonën e tyre. Kanë një trajner inteligjent.
Sa do të ndihet mungesa e Kimishit?
Kimish dhe Çupo-Moting kanë probleme me mushkëritë. Ata nuk mund të stërviten me ekipin pasi nuk mund të marrin ende një ngarkesë të plotë. Nuk bëhem merak për ta, është vetëm një çështje kohe. Shpresoj që në janar të jenë me skuadrën dhe të luajnë me ne pjesën e dytë të sezonit.
Si është gjendja e pjesës tjetër të skuadrës?
Marsel Zabicer dhe Leon Gorecka nuk do të luajnë nesër (sot). Leon ka probleme në Tetivën patelare (tendina e kupës së gjurit). Ganbri është rikthyer dhe do të jetë në fushë, ai nuk ka më probleme.
Leva vazhdon të jetë një lider, ka njeri që mund ta ndalë?
Pas “Topit të Artë”, ai ka vazhduar të luaj njëlloj si më parë. Kërkon të thyejë rekorde të tjera dhe kjo është fantastike. Forma e tij është njëlloj nga fillimi deri në fund, jam i sigurt që do të shënojë ndaj Maincit.
Jeni gati për fitoren e 100- të në Bundesligë?
Mendova se kam pasur më shumë. Ndoshta do të pi një verë të ngrohtë pas ndeshjes, por më parë duhet të fitojmë. Është një shifër e bukur.
Është e vështirë të motivosh lojtarët në këtë periudhë festash?
Lojtarët janë në humor të mirë. Kemi menaxhuar shumë mirë titullin deri tani dhe shpresojmë ta bëjmë këtë deri në fund. Duam t’i fitojmë të gjitha ndeshjet deri në fund për të festuar dhe për të qenë të qenë në startin e vitit të ri.
Duket se është rikthyer Toliso i vjetër, jeni të kënaqur?
Po flasim për një lojtar i cili ka fituar gjithçka. Paraqitja e Kokos nuk më surprizon. Ai po menaxhon shumë mirë situatën dhe shpresoj që të vazhdojë të qëndrojë larg dëmtimeve.
Edhe një herë për Maincin, si mendoni ta mundni?
Mainc luan një futboll agresiv. Lojtarët luajnë ashtu siç sillet trajneri i tyre Bo Svenson në pankinë. Ata kanë gjithmonë dëshirë për të fituar dhe kjo do të jetë shumë e vështirë për ne. Por skuadra ime ka treguar se mund të përballojë kundërshtarë dhe më serioz. Në shtatë ditë kemi mundur Dortmundin dhe Barcelonën. Mendoj që kjo do të thotë shumë, edhe pse nuk duhet të nënvlerësojmë askënd në këto ndeshje të fundit të vitit.