Xhoshua Kimish është kthyer në këto muaj në një prej emrave më të kërkuar në merkato. Futbollisti është në vitin e funti të kontratës me Bajern Mynih dhe normalisht, mund të largohet me parametër zero në qershor, gjë që ka shtyrë disa nga klubet më të mëdha në Europë të vihen në ndjekje të tij.
Por lojtari dje ka dhënë sinjale se edhe mund të rinovojë me Bajernin, sidomos tani që duket se ekipi po ofron një mënyrë tjetër futbolli, siç shpjegoi ai për “Sky” pas fitores 1-0 ndaj Borusia Mynshengladbah.
“Mundësia e qëndrimit është në mënyrë të ndjeshme më e madhe se sa në verën e kaluar. Pasi e shoh se si luajmë futboll. Kjo ka të bëjhë shumë edhe me trajnerin. E gjithë Gjermania e sheh se ne po luajmë futboll në një mënyrë të ndryshme. Duket shumë më mirë. Është argëtim në stërvitje dhe në fushë”, tha Kimish, me një thumbim të qartë të nënkuptuar ëpr ish-trajnerin Tuhel.
“Ky është padyshim një moment vendimtar në karrierën time. Të gjithë, edhe unë, i dimë arsyet e mira për të zgjatur kontratën. Megjithatë, unë dua të peshoj mirë se ku mund të arrij suksesin maksimal sportiv në 3-4 vitet e ardhshme. Kur merret vendimi? Unë padyshim që ndjej përgjegjësi kundrejt klubit, Nuk jam ai lloj lojtari që shtyn gjithçka deri në fund, Nuk dua të pres deri në fund të majit”, tha mesfushori 29-vjeçar.